Ushtruesi i detyrës së Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Faton Klinaku, ka deklaruar se ka qenë e ditur për bashkëpunimin e Vetëvendosjes me Listën Serbe. Ai në emisionin “Five” të RTV Dukagjinit, tha se ky bashkëpunim ka ndodhur në momentin e votimit të projektligjit, i cili i lë jashtë pagës minimale veteranët.

“E kemi ditur që janë dakorduar me Listën Serbe kur kemi pasur protesta, kur i hoqën veteranët nga paga minimale në mënyrë të paligjshme, sepse pa prezencën tonë s’duhet të kenë ndryshime ligjore. Lista Serbe në momentin që e kanë votuar të hiqen veteranët e kanë lëshuar sallën, atëherë e kemi ditur që kanë dakordim. E kemi ditur që nuk mund ta kalojnë ndryshe, përveç me Listën Serbe, sepse kemi pasur kontakte me opozitën dhe parti tjera, dhe kanë thënë se nuk do të votojnë”, ka thënë ai.

Tutje, ai tha se “Prokuroria duhet t’i marrë në pyetje, duhet t’u ngritë padi, sepse me siguri e di vendndodhjen e Milan Radojçiqit”.