Koca: Nëse bllokohet Gjykata Kushtetuese, Kosova rrezikon anarki institucionale
Analisti Milazim Koca, në emisionin FIVE në RTV Dukagjini, ka komentuar zhvillimet lidhur me moskonstituimin e Kuvendit të Kosovës dhe rolin e Gjykatës Kushtetuese në këtë proces. Sipas tij, interpretimi “dëshiror” i Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese ka sjellë pasiguri juridike dhe institucionale. Koca ka paralajmëruar se në rast se nuk emërohen dy gjyqtarët e munguar […]
Analisti Milazim Koca, në emisionin FIVE në RTV Dukagjini, ka komentuar zhvillimet lidhur me moskonstituimin e Kuvendit të Kosovës dhe rolin e Gjykatës Kushtetuese në këtë proces.
Sipas tij, interpretimi “dëshiror” i Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese ka sjellë pasiguri juridike dhe institucionale.
Koca ka paralajmëruar se në rast se nuk emërohen dy gjyqtarët e munguar dhe Gjykata humb kuorumin për vendimmarrje, Kosova mund të përballet me një krizë serioze.
“Unë uroj që Gjykata Kushtetuese të mos bllokohet, sepse nëse edhe ajo bllokohet, ne do të kemi anarki institucionale në Kosovë”, deklaroi Koca.
Ai po ashtu komentoi dy ankesat e fundit të dërguara në këtë gjykatë nga PDK dhe LDK, për të cilat nuk pret ndonjë ndërhyrje.
Megjithatë, ai shprehu bindjen se pas përfundimit të afatit 30-ditor për konstituimin e Kuvendit, do të ketë ndërhyrje të fuqishme nga Gjykata Kushtetuese dhe Presidentja e vendit.
“Pas kalimit të afatit 30-ditor, pres ndërhyrje shumë të fuqishme të Gjykatës Kushtetuese dhe të Presidentes”, është shprehur ai.
“Mos zbatimi i atij vendimi që është obligativ është shkelje e rëndë e rendit kushtetues, është shkelje e Kushtetutës, është vepër penale”, ka thënë ai.
Më tej Koca ka thënë se ajo çfarë duhet tani është që presidentja ta bëjë një kërkesë krejt formale në mënyrë që ti jepet mundësia Gjykatës Kushtetuese në mënyrë që ata ta sanksionojnë dhe të definojnë që kemi të bëjmë me cenim të rëndë të rendit kushtetues.















