Avokati Arianit Koci ka reaguar me tone të ashpra ndaj zhvillimeve të fundit politike në vend.
Përmes një postimi në Facebook, ai i cilësoi ngjarjet e fundit në Kuvend pët tentimin për ta zgjedhur presidentin si të paprecedenta në skenën politike të pasluftës në Kosova.
“Çka nuk kemi parë në këto 26 vitet e pasluftës në skenën politike. Plot gabime, pazare, mashtrime e tradhti. Ama idiotizmat që po i shohim sonte janë të paprecedentë”, ka shkruar Koci.
Ai ka drejtuar kritika të drejtpërdrejta edhe ndaj kryeministrit Albin Kurti, duke e akuzuar për degradim institucional.
“Albin Kurti ka me u mbajtë në mend si njeri që e ka përdhosë Republikën”, është shprehur ai.
Sipas Kocit, pushteti është marrë me premtime për dinjitet institucional, por po përmbyllet me veprime që, sipas tij, e dëmtojnë shtetin.
“Pushtetin e mori me premtimin për dinjitet institucional. Po don me e mbyll me degradim institucional, me lojëra të vogla, bllokada e me trajtim të shtetit si pronë partie”, ka theksuar ai.
Në fund, ai ka shprehur indinjatën e tij me një reagim të drejtpërdrejtë: “Turp! Na keni gërditë shtetin”.
