Koheqeluan

Në fotografi: Albin Kurti, kryeministër i Republikës së Kosovës

Në pamjet televizive që po vinin nga Brukseli, mbrëmjen e së hënës, nën dritën e reflektorëve dhe para kamerave, duke bërtitur, doli nga hiçi një burrë me ngjyrë. “Mos e shkatërroni këtë planet”, filloi t’u thërriste dy gazetarëve kosovarë. Dhunshëm, thirrjen do ta përsëriste disa herë. “Nëse e shkatërroni, ne do t’ju shkatërrojmë ju”, ishte çjerrja e tij e fundit, para se të largohej, sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Dy gazetarët kishin mbetur të hutuar nga ajo që sapo kishte ndodhur. Agresiviteti i paprovokuar nuk është diçka e panjohur për ne kosovarët në veçanti dhe as për ballkanasit në përgjithësi. Por, në tablonë rozë të Evropës dhe të shoqërive evropiane, pikturuar sipas perceptimit ballkanik, ishte diçka e huaj dhe në kufij të së pabesueshmes.

Ngjarja ndërkaq dukej surreale për një arsye krejtësisht tjetër. Pak minuta më parë, në të njëjtin vend, para mikrofonave të shumtë dhe një kori të madh gazetarësh, të paduruar për të marrë vesh çfarë kishte ndodhur brenda takimit, Albin Kurti – kryeministër i Kosovës, kishte thënë se ai kishte qenë i gatshëm ta nënshkruante marrëveshjen me Serbinë. Por, nënshkrimi nuk kishte ndodhur për faj të Aleksandër Vuçiqit, presidentit të Serbisë.

Groteske, siç më pas do të dilte e gjithë ajo skenë, ishte përgjigjja e kryeministrit në pyetjen që po i bëhej, lidhur me atë që ai e ka emëruar si “Zajednicë” dhe që në të vërtetë quhet “Asociacioni i Komunave me shumicë serbe”. “A do të hiqni dorë, pra a do ta kundërshtoni, siç e keni kundërshtuar sa keni qenë në opozitë?”, e pyeti gazetari. Duke mbllaçitur togfjalësha dhe fjali në funksion të retorikës së tij të rimave, ai u mundua ta kinse vinte në pah mosrëndësinë e saj në marrëveshje, meqë na qenkësh e dhjeta pikë e saj. Athua se nënshkrimi në marrëveshje vihej jo për të gjitha njëherësh, por për pikat një nga një.

Ishte e qartë tashmë që, meqenëse kishte pranuar ta nënshkruante marrëveshjen, përveç të tjerash, ishte pajtuar që një nivel i ri dhe i ndërmjetmë i qeverisjes do të krijohej për serbët e Kosovës. Ishin pajtuar, ai, ndërmjetësit ndërkombëtarë dhe presidenti serb. Por, vetë Vuçiqi nuk kishte pranuar të nënshkruante. Qartësia e kësaj deklarate do t’i dylloste gazetarët. Në pak sekonda, ata do të mbeteshin vetëm, me hipotezat dhe pyetjet që mund t’i kishin përgatitur dhe të cilat nuk u duheshin më.

Në qetësinë e natës dhe pa u shqetësuar, Albin Kurti do të largohej. Burri me ngjyrë, i cili pas pak minutash do t’u bërtiste gazetarëve, nuk mund të ishte veçse përmbysje e një thirrjeje të munguar, nga të gjithë ata të cilët Albin Kurti i kishte anatemuar përgjatë viteve, duke i quajtur tradhtarë dhe argatë të Serbisë. “Mos e shkatërroni shtetin”. “Nëse e shkatërroni, ne do t’ju shkatërrojmë ju”, do të mund të ishin disa nga thirrjet në drejtim të Albin Kurtit parmbrëmë. Thirrje edhe të opozitarit Albin Kurti, të cilat vazhdojnë të kumbojnë nga e shkuara. Dhe, thirrje, të cilave, për dallim nga turfullimat e një opozite të mefshtë, sado të mundohet, nuk u shpëton dot.

Dyndja e gazetarëve për t’ia marrë dy fjalë, pa arritur t’ia nxjerrin të vërtetën, shoqëruar nga shpërfillja dhe shpotia me të cilën i trajtonte parmbrëmë, më ktheu në vitin 2001. Dhjetorin e atij viti, Albini ishte liruar nga burgjet serbe. Megjithëse isha akoma fëmijë – ndoshta pikërisht sepse isha fëmijë, dalloja diçka tjetër! – nuk arrija ta kuptoja talljen që po u bënte gazetarëve, teksa rrëfente se ishte mërzitur që ishte liruar. Heqja nga çdo lloj pengimi, aq më tepër nga burgimi, është moment çlirimi, që shkon përtej lënies prapa të prangave dhe të grilave. Mund të mos jesh i lumtur që je liruar i vetëm, por të mërzitesh është në mos kompleks, gjë tjetër fare. Fshehur prapa sjelljeve modeste, siç zakonisht bëjnë megalomanët e sëmurë, ai kishte arritur t’i vinte në lojë të gjithë, duke dalë i besueshëm. Testi kishte rezultuar i suksesshëm. Albini e kishte kuptuar një diçka të rëndësishme: mund të tallej me të gjithë. I mbetej ta vërtetonte nëse atë mund ta shtrinte në kohë.

Në realitetin e ri të krijuar të Kosovës së çliruar, por të paqetë, ai do të kërkonte hapësirën e munguar. Përmes valëve të mediumit publik, kapardisja e një djali të ri, i cili ishte bërë i njohur nga protestat dhe burgosja, do të arrinte në kutinë e zezë, vendosur mbi komodinat e dhomave të ndejës gjithandej Kosovës, të quajtur televizor. Por, përballë vetëdehjes së çlirimit, do të mbetej e pafuqishme. Njëlloj si vetë ai. Dhe ky moment do të kthehej në pikë infleksioni për të. Një nga të shumtat që do të vinin më pas.

Lindja e organizatës kishte shërbyer si rilindje për Albinin. Njeriu i cili kishte luftuar për multietnicitetin, në jetën e re do të ishte etnonacionalist. Shpallja e tij e re, lëvizja nacionaliste Vetëvendosje, ishte krejt çfarë ai vetë nuk ishte. Mirëpo, përmes këtij kapërcimi, ai kupton që përveçse t’i tallë, mundet edhe t’i gënjejë shqiptarët. Këtë e ktheu në program. Momenti rikuptimësohet nga e ardhmja e tij politike. Në një dokument të brendshëm të partisë së tij, që dritën do ta shihte shumë vjet pas, ai konstatonte se 40 për qind e popullit ishin analfabetë. “Thashethemet janë burim i (dez)informacionit dhe “qëndrimet tona [të LVV-së, v.j] duhet të përhapen si thashetheme”, do të shkruante ai më 2016, në platformën 58-faqëshe të titulluar “Mbi Organizimin Politik (në fazën e Ristrukturimit)”.

Për fat të keq, kostot e lojërave të tij, si të të gjithë nacionalistëve dhe populistëve të tjerë, përherë janë të larta. Tri jetë janë shuar që atëherë. Mon Balaj dhe Arben Xheladini ikën nga kjo botë duke besuar se pavarësia nuk do të vinte kurrë. Është tragjike, por më shumë se për këtë besim që mund ta kenë pasur, ata vdiqën – u vranë – për trillet e Albin Kurtit.

Pasi gjithçka kishte thënë doli e gënjeshtërt, në gjah të përhershëm për mashtrimin dhe talljen e radhës, ai do ta bënte të vetmen gjë që dinë të bëjnë rimohuesit: do të shkonte kundër rrjedhës. Pa u lodhur. Duke u tallur. Dhe duke mashtruar. Sa herë që nuk merrte pjesë në zgjedhje, ato i quante legjitimim për hajnat. Kur vendoste të merrte pjesë, zgjedhjet ishin “mundësi për ndryshimin e madh”. Sa herë që partitë e tjera bënin koalicione, i bënin për të vjedhur. Por, kur i bënte ai, ishin për shtet dhe sovranitet. Me këtë parullë do të niste djegia e shtetit. Dhe për të do të shuhej një tjetër jetë. Kronika e Astrit Deharit – në vend të të cilit mund të ishte cilido Astrit, secili dishepull tjetër i Albinit, ishte kronikë e një vdekjeje të paralajmëruar pothuaj një dekadë më parë, me Mon Balajn dhe Arben Xheladinin.

Mirëpo, sado mundohej t’i përdorte jetët e humbura, rrahjet nëpër stacione policie dhe mijëra arrestimet e djemve dhe të vajzave, që i kishte mashtruar dikur dhe pa e kuptuar ata po i tallte në vazhdimësi, ato nuk i mjaftonin në llogarinë historike që kishte bërë për veten. I duhej një tjetër vdekje. Kësaj radhe duhet të ishte politike. Dhe meqë ai nuk po vdiste, shpresonte që dikush do ta vriste. Thirrja “Shko Hashim”, ishte klithmë e dëshpëruar e një njeriu të etur për lavdinë që i mungonte. Për fatin e tij të mirë, në një fatkeqësi më të madhe, renegatë gjeti plot. Të shumtë janë ata që donin dhe duan ta gjykojnë e ndryshojnë historinë më të lavdishme të Kosovës.

Dhe teksa njëri po ikte për t’u gjykuar bashkë me historinë e çlirimit dhe të pavarësimit, tjetri kujtoi se i erdhi dita e lavdisë dhe koha që ai të shpallet shpëtuesi i kombit. I vetmi që nuk do të përkulej. I vetmi që nuk do të bënte lëshime. I vetmi që nuk do të thyhej. Gjithmonë i vetmi.

Në andralla, i ngrefosur si përherë dhe duke u tallur, nisi të flasë edhe në kostumin e pushtetarit. Përveç të vetëve dhe kundërshtarëve politikë, me shpërfillje, siç kishte bërë tërë jetën, prijësi do të vazhdonte t’i trajtonte edhe të huajt. Ambasadorë, diplomatë dhe të dërguar të posaçëm, për muaj me radhë, do të dëgjonin broçkullat e tij. Dialogu me Serbinë – kërkesa e tyre e vazhdueshme – për Albinin kryeministër ishte prioritet i shtatë. Nga “dashamirësia” do ta bënte prioritet të katërt. Dhe në fund do t’i kthehej si i vetëm. Me shpejtësi të pabesueshme dhe lehtësi të padurueshme, Albin Kurti do të ngutej ta takonte përherë e më shpesh Aleksandër Vuçiqin. Do të vazhdonte të mashtronte. Dhe, me hidhësi prej mistreci, do t’i tallte akoma më tepër ata që ia nxirrnin sheshit metamorfozën.

Njëjtë veproi edhe parmbrëmë, në atë adresim të shëmtuar para gazetarëve. U tall, sepse nuk mund të mashtronte më. Pas dy dekadash, ai e kishte kuptuar një tjetër gjë të rëndësishme: mund t’i mashtrosh të gjithë njerëzit për një kohë dhe disa njerëz vazhdimisht, por nuk mund t’i mashtrosh vazhdimisht të gjithë. Albin Kurti ka koheqeluan. Por, koha po i mbaron.

Të fundit nga rubrika