Kolonët izraelitë rrethojnë familjet palestineze, u ndërpritet uji dhe energjia në Bregun Perëndimor

Dy familje palestineze në fshatin Qusra, pranë Nablusit në Bregun Perëndimor të pushtuar, janë duke u përballur me një rrethim nga kolonë izraelitë që prej së dielës.

Familjet Abu Ridi dhe Hassan kanë bërë thirrje për ndihmë, duke deklaruar se u janë ndërprerë furnizimet me ujë dhe energji elektrike dhe se rezervat ushqimore po u mbarojnë.

Sipas raportimeve, rreth një duzinë kolonësh ende ndodhen në një postë të re të ngritur pranë pronave të familjeve palestineze.

Pamjet nga kamerat e sigurisë tregojnë kolonë duke shembur një mur pranë shtëpisë së familjes Abu Ridi dhe duke përdorur gurët për të bllokuar rrugën. Si pasojë, shtatë persona, përfshirë dy vajza të reja, kanë mbetur të izoluar në shtëpi.

Familjet jetojnë në zonën B të Bregut Perëndimor, e cila është nën administrim palestinez, por nën kontrollin e sigurisë së Izraelit.

Qusay Abu Ridi, përmes një postimi në Facebook, e ka përshkruar situatën si kritike, duke thënë se familja është “plotësisht e izoluar” dhe se po kërkon vetëm të jetojë në mënyrë të sigurt dhe me dinjitet në pronën e saj.

Ndërkaq, Aysha Hassan ka deklaruar për Reuters se kolonët kanë tentuar të hapin me forcë portën e shtëpisë dhe kanë hedhur gurë ndaj familjes, duke i fyer dhe kërcënuar. Ajo tha se familjarët janë “të tmerruar nga frika”.

Të hënën, gazetarë të gazetës izraelite Haaretz u penguan nga kolonët që të arrinin te pronat palestineze. Gazetarët kanë thënë se ushtarët izraelitë në vendngjarje nuk ndërhynë, ndërsa atyre iu tha se zona ishte shpallur zonë e mbyllur ushtarake. Sipas tyre, ky urdhër nuk u zbatua ndaj kolonëve.

Të martën, organizata izraelite për të drejtat e njeriut Yesh Din i bëri thirrje urgjente komandës qendrore të ushtrisë izraelite që të mbrojë familjet palestineze, të largojë kolonët nga posti dhe të mbajë përgjegjës personat e përfshirë.

Më vonë gjatë së martës, një ambulancë palestineze u lejua të arrinte te familjet. Ajo dërgoi ushqime dhe mori një fëmijë për trajtim mjekësor.

Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) kanë dënuar ngritjen e postës së re, duke deklaruar se hyrja dhe marrja e shtëpive palestineze është “veprim i paligjshëm, i dënueshëm dhe i papranueshëm”.

Të mërkurën, pas mbërritjes së komandantit të Komandës Qendrore të ushtrisë izraelite, gjeneralmajorit Avi Bluth, dhe zyrtarëve të tjerë të lartë, në zonë shpërthyen përleshje mes forcave izraelite të sigurisë dhe një grupi të madh kolonësh.

Pamjet e publikuara tregojnë përdorimin e gazit lotsjellës dhe granatave trullosëse nga forcat izraelite. Policia kufitare izraelite thuhet se ka larguar tendën ku qëndronin kolonët, ndërsa pjesa tjetër e pajisjeve të tyre raportohet se ka mbetur në vend.

IDF deklaroi se do të ndërmerren masa disiplinore ndaj pjesëtarëve të forcave të sigurisë që janë filmuar në vendngjarje disa ditë më parë, raporton BBC.

Ndërkohë, një zyrtar i lartë i Kombeve të Bashkuara paralajmëroi të martën në Këshillin e Sigurimit se situata në Bregun Perëndimor “është në pikën e thyerjes”.

Vendbanimet izraelite në territoret e pushtuara palestineze konsiderohen të paligjshme sipas së drejtës ndërkombëtare, ndërsa postet e kolonëve krijohen pa autorizim zyrtar nga autoritetet izraelite.

Shija e redaktorit

75 vota pro, Parlamenti kalon me procedurë të përshpejtuar huanë...

Parlamenti i Shqipërisë miratoi mëngjesin e kësaj të hëne, me 75 vota pro, kalimin me procedurë të përshpejtuar të marrëveshjes së huasë ndërmjet Shqipërisë...

BookFest vazhdon rrugëtimin në Gjilan pas suksesit të jashtëzakonshëm në...

Pas një edicioni tejet të suksesshëm në Prishtinë, ku mijëra vizitorë krijuan një atmosferë të veçantë me diskutime frymëzuese, aktivitete të shumta dhe dashuri...

Anthony Joshua rikthehet në ring, shqiptari Kristian Prenga synon ta...

Një nga emrat më të mëdhenj të boksit botëror, Anthony Joshua, rikthehet këtë fundjavë në ring për t’u përballur me boksierin shqiptar Kristian Prenga,...

Të fundit nga rubrika