Komandant Kajari ia dorëzon komandën e KFOR-it Angelo Michele Ristuccia-s
Të hënën është mbajtur ceremonia e ndërrimit të komandës së KFOR-it, ku gjeneralmajori i Ushtrisë Hungareze, Ferenc Kajari, ia ka dorëzuar komandën gjeneralmajorit të ushtrisë italiane, Angelo Michele Ristuccia. Në fjalën e tij, Kajari i ka falënderuar të gjithë ata me të cilët KFOR-i ka bashkëpunuar. Ai i ka falënderuar edhe partnerët e KFOR-it në […]
Të hënën është mbajtur ceremonia e ndërrimit të komandës së KFOR-it, ku gjeneralmajori i Ushtrisë Hungareze, Ferenc Kajari, ia ka dorëzuar komandën gjeneralmajorit të ushtrisë italiane, Angelo Michele Ristuccia.
Në fjalën e tij, Kajari i ka falënderuar të gjithë ata me të cilët KFOR-i ka bashkëpunuar.
Ai i ka falënderuar edhe partnerët e KFOR-it në Kosovë, për të cilët ka thënë se kanë “qenë të hapur për bashkëpunim”.
“Ka qenë nder të jem komandant i 26-të i KFOR-it, që trupat e KFOR-it të jenë pjesë e lidershipit hungarez.
“Jam i mahnitur se sa shpejt ka kaluar koha dhe sa shumë kemi arritur së bashku, mund të them lirisht se puna ime si komandant nuk do të ishte kaq e suksesshme, nëse nuk do të shërbenim të gjithë në mënyrë të përkushtuar. Kam pasur mbështetje të jashtëzakonshme nga komandantët rajonalë të KFOR-it, nga lindja e perëndimi”, ka thënë ai.
Ndërkaq, komandanti i ri i KFOR-it, Angelo Michele Ristuccia, ka thënë se është i vetëdijshëm për sfidat, por që sipas tij këto do t’i kthejë në mundësi.
“Jam i bindur në mbëshetjen tuaj, ju siguroj se do t’i kthej këto sfida në mundësi, pa anshmëri, pa frikë, në mënyrën më të mirë të mundur”, ka thënë ai.
Angelo Michele Ristuccia do të jetë komandanti i 27-të i KFOR-it në Kosovë.
Të pranishëm në këtë ceremoni ishin edhe krerët e institucioneve të Kosovës, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe ai i Infrastrukturës, Liburn Aliu.















