Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka pritur në takime lamtumirëse atashetë e mbrojtjes dhe ushtarak të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke i falënderuar për kontributin e tyre në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet FSK-së dhe ushtrisë amerikane.
Sipas njoftimit të FSK-së, gjenerallejtënant Jashari priti atasheun e mbrojtjes të SHBA-së, kolonelin Ashley J. Berg, të cilin e vlerësoi për angazhimin në avancimin e bashkëpunimit dypalësh dhe për mbështetjen e vazhdueshme në zhvillimin e kapaciteteve të FSK-së drejt arritjes së kapaciteteve të plota operacionale.
Më herët, komandanti i FSK-së zhvilloi takim lamtumirës edhe me atasheun ushtarak të SHBA-së, nënkolonelin Jonathan Shaw, të cilin e falënderoi për kontributin në ngritjen profesionale dhe avancimin e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Në shenjë mirënjohjeje për kontributin dhe angazhimin e tyre gjatë shërbimit në Republikën e Kosovës, gjenerallejtënant Jashari u ndau të dy zyrtarëve amerikanë medaljen “Shërbim Vetëmohues”.