Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF ka shprehur shqetësim për paraqitjen e rasteve të fruthit tek fëmijët në javët e fundit në Kosovë, duke bërë thirrje urgjente për rritjen e vaksinimit të fëmijëve.
Sipas të dhënave të institucioneve shëndetësore, janë identifikuar 10 raste të fëmijëve të prekur nga fruthi, ndërsa të gjithë fëmijët e infektuar kanë qenë të pavaksinuar, njofton Dukagjini.
KOMF ka vlerësuar si shqetësuese edhe rënien e mbulueshmërisë së vaksinës MMR, e cila mbron nga fruthi, shytat dhe rubella, në grupmoshën 12 deri në 24 muaj, njofton Dukagjini.
Në reagimin e saj, KOMF u ka bërë thirrje prindërve dhe kujdestarëve ligjorë që të vaksinojnë fëmijët në përputhje me kalendarin e rregullt të vaksinimit, duke theksuar se vaksinimi është obligim ligjor dhe lidhet drejtpërdrejt me mbrojtjen e shëndetit të fëmijëve.
“KOMF thekson se vaksinat janë mjeti më efektiv për parandalimin e sëmundjeve të rrezikshme, janë të testuara shkencërisht, të sigurta dhe të miratuara nga institucionet relevante shëndetësore ndërkombëtare”, thuhet në reagim.
Po ashtu, organizata ka apeluar që prindërit të mos bien pre e dezinformatave dhe informacioneve të pasakta që qarkullojnë në hapësirat publike apo online, duke i inkurajuar ata që për çdo paqartësi të konsultohen me profesionistët shëndetësorë në Qendrat e Mjekësisë Familjare.
KOMF u ka bërë thirrje edhe institucioneve shëndetësore që të intensifikojnë identifikimin e fëmijëve të pavaksinuar dhe vaksinimin në komunitet, përfshirë organizimin e aktiviteteve “derë më derë”.
