Komisioni për Ekonomi me shtatë vota për dhe një abstenim ka miratuar projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për tregti të lirë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe shteteve të EFTA-s.
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari Lila ka prezantuar në komisionin këtë projektligj, duke thënë se marrëveshja e tregtisë së lirë përbën një instrument të rëndësishëm të politikës tregtare të Kosovës dhe kontribuon në themelimin e integrimit ekonomik në tregjet evropiane me fuqi të lartë blerëse.
“Të nderuar deputetë, të nderuar anëtarë të Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi, Tregti dhe Inovacion, me kënaqësi para jush prezantojmë vendimin për ratifikimin e marrëveshjes ndërkombëtare për tregti të lirë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe shteteve anëtare të EFTA-s: Zvicrës, Norvegjisë, Islandës dhe Lihtenshtajnit. Në kuadër të kompetencave tona si ministri dhe në kuadër të direktivave të veta, ministria në sferën e bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e ekonomisë ka arritur që të nënshkruajë këtë marrëveshje për tregti të lirë mes Republikës sonë dhe shteteve anëtare të EFTA-s. Kjo marrëveshje derivon nga nënshkrimi i deklaratës së përbashkët për bashkëpunim në mes të Republikës së Kosovës dhe shteteve të EFTA-s në fund të vitit 2018 në Gjenevë, e cila në nenin katër ka paraparë nënshkrimin e një marrëveshjeje për tregti të lirë.
Marrëveshja e tregtisë së lirë përbën një instrument të rëndësishëm të politikës tregtare të Kosovës dhe kontribuon në themelimin e integrimit ekonomik në tregjet evropiane me fuqi të lartë blerëse, si dhe standarde të avancuara rregullative. Kjo marrëveshje përfshin fusha të ndryshme për të cilat palët janë pajtuar në themelimin e bashkëpunimit me liberalizimin progresiv të tregtisë së mallrave përmes eliminimit të tarifave doganore për shumicën e produkteve industriale, përmirësimin e qasjes në treg për produkte bujqësore të caktuara, të drejtat e pronësisë intelektuale, vendosjen e rregullave të qarta për origjinën e mallrave, si dhe rritjen e sigurisë juridike për operatorët ekonomikë. Një komponentë me rëndësi të veçantë është përfshirja e tregtisë në shërbime, ku në këtë marrëveshje parashihen edhe shërbimet profesionale, shërbimet financiare, shërbimet e transportit, të teknologjisë së informacionit dhe shërbimet turistike.
Ratifikimi i kësaj marrëveshjeje ka rëndësi të veçantë duke marrë parasysh trendin në rritje të shkëmbimeve tregtare të Republikës së Kosovës me vendet e EFTA-s, në veçanti me Zvicrën dhe Norvegjinë. Tregtia me këto shtete po shënon rritje pozitive të qëndrueshme dhe karakterizohet me një bilanc pozitiv tregtar me peshë të konsiderueshme për ekonominë e vendit tonë. Të dhënat zyrtare mbi shkëmbimet e mallrave konfirmojnë përmirësim të vazhdueshëm të bilancit tregtar me vendet e EFTA-s, duke reflektuar forcimin e kapaciteteve eksportuese dhe rritjen e pranisë së produkteve kosovare në këtë treg, i cili në total numëron 14 milionë konsumatorë”, tha ajo.
Ajo tha se eksportet janë rritur me një rritje prej 14,7% ndër vite.
“Vlen të përmendet se sa i përket volumit tregtar me vendet e EFTA-s, eksportet janë rritur nga 77.5 milionë në vitin 2023, në 87.5 milionë në vitin 2024, ndërsa në vitin që lamë pas kanë arritur 100.4 milionë euro, me një rritje prej 14.7% krahasuar me vitin paraprak. Kjo përbën rreth 10% të eksporteve totale të vendit tonë. Ndërsa, nëse i referohemi të dhënave të eksportit të shërbimeve, në veçanti me Zvicrën, gjatë vitit 2024 kemi pasur një bilanc pozitiv prej rreth 530 milionë euro, ku pas Gjermanisë, Zvicra paraqitet si partneri i ynë i dytë tregtar. Ratifikimi i kësaj marrëveshjeje, përveç rëndësisë ekonomike, ka rëndësi për Kosovën edhe në aplikimin politik në raport me partnerët tregtarë dhe me investitorët e huaj. Ndaj, të nderuar deputetë, të nderuar kryetarë, duke pasur parasysh peshën dhe rëndësinë për ekonominë e vendit tonë, lehtësimin e tregtimit të mallrave dhe në veçanti shërbimeve, ju ftoj që ta miratoni dhe uroj sa më shpejt ratifikimin në Kuvendin e Republikës”, tha Kusari Lila./EO