Gjatë takimit bashkëbiseduesit kanë diskutuar mbi mundësitë e forcimit të bashkëpunimit mes dy vendeve dhe parlamenteve respektive, poashtu mbështetjen e mëtejme të Kosovës si në zhvillim të brendshëm, ashtu edhe në rrafshin ndërkombëtar.
Haki Abazi, kryetar i Komisionit, pasi vlerësoi mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar për Kosovën në të gjitha fazat, shtoi se kjo mbështetje ka nevojë të vazhdojë si në zgjerimin e njohjeve të shtetit të Kosovës, ashtu edhe në anëtarësimin në organizata të rëndësishme ndërkombëtare.
Abazi ka potencuar edhe rëndësinë e bashkëpunimit në sektorë të ndryshëm si në arsim, energjetikë, tregti dhe sektore të tjera.
“Kosova çdo herë do të jetë shtet mik i Mbretërisë së Bashkuar dhe në këtë kontekst ne do t’i ruajmë marrëdhëniet tona”, është shprehur kryetari i Komisionit, Haki Abazi.
Poashtu, zëvendëskryetari Xhavit Haliti dhe anëtarët, Time Kadriaj e Fitore Pacolli Dalipi, kanë argumentuar nevojën për të intensifikuar më tej marrëdhëniet midis dy vendeve në fusha specifike, e sidomos në konsolidimin e mëtejmë të pozicionit ndërkombëtar të Kosovës dhe të përshpejtimit të perspektivës euro-atlantike të saj.
Kryesuesja e delegacionit të Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar, Harriet Baldwin, si dhe anëtarë të tjerë të delegacionit mysafir, vlerësuan lart radhitjen e Kosovës në krah të demokracive perëndimore në rastin e agresionit rus në Ukrainë, duke vënë theksion te nevoja për të qëndruar të bashkuar, në mënyrë që, siç u tha, lufta e Putinit të jetë e pasuksesshme dhe misioni i tij për të marrë territore të dështojë.
Ligjvënësit e Mbretërisë së Bashkuar theksuan se vazhdojnë të ndjekin me kujdes zhvillimet në Kosovë dhe se shteti i tyre ishte dhe vazhdon të jetë në mbështetje të saj.
“Pavarësisht nëse jemi në pozitë apo në opozitë, mbështetja jonë për Kosovën asnjëherë nuk do të vihet në pikëpyetje”, u tha në takim.
Bashkëbiseduesit u pajtuan që të shfrytëzojnë hapësirat për të thelluar më tej raportet midis dy vendeve dhe të parlamenteve që përfaqësojnë.