Komisioni për të Drejtat e Njeriut mban mbledhjen e radhës
Të mërkurën e 31 majit, duke filluar nga ora 10:00, do të mbahet Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione. Në këtë mbledhje do të ketë takim me Andin Hotin, kryetar i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, ku temë diskutimi do […]
Të mërkurën e 31 majit, duke filluar nga ora 10:00, do të mbahet Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione.
Në këtë mbledhje do të ketë takim me Andin Hotin, kryetar i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, ku temë diskutimi do të jetë çështja e personave të zhdukur në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi.
Po ashtu, do të jetë në rend dite edhe miratimi i procesverbaleve të mbledhjeve të kaluara.
Ndryshe, Deklarata për Personat e Zhdukur u miratua më 2 maj nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në takimin e nivelit të lartë në Bruksel.
Po ashtu, çështja e personave të pagjetur është ngritur edhe në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në vitin 2020, por përveç “harmonizimit të qëndrimeve” të të dyja palëve për atë çështje, nuk ka pasur ndonjë progres konkret.
Gjatë luftës në Kosovë në vitet 1998-1999, rreth 13 mijë njerëz nga të gjitha bashkësitë etnike u vranë, mbi 800.000 u zhvendosën dhe rreth 1 mijë e 600 janë të zhdukur.
Qindra trupa të shqiptarëve të vrarë të Kosovës janë gjetur në varreza masive në Serbi. Deri më tani nga Serbia në Kosovë janë kthyer rreth një mijë mbetje mortore.















