Kompania Management & Development Associates L.L.C., bashkë-themelues dhe ish-aksionar i së cilës është Luan Dalipi, shef i kabinetit të kryeministrit në detyrë Albin Kurti, është në proces të licencimit nga Zyra e Rregullatorit për Energji si furnizues.

Sipas regjistrit publik, datë e nisjes së këtij procesi figuron 27 maji.

Kjo, është përmendur në një konferencë të zyrtarëve të Partisë Demokratike, ku janë bërë akuza të reja ndaj kryeministrit në detyrë Albin Kurti dhe shefit të tij të kabinetit.

“Në njërën anë kryeministri e dërgon vëllai në departamentin për shitje të energjisë elektrike në KEK, dhe në anën tjetër shefi i stafit të kryeministrit kërkon licencë, pra këtyre kompanive që i kanë qitë në treg të lirë me ju shitë energji elektrike. Për besë kjo është e tmerrshme dhe nuk e di a mund ta quajmë më korrupsion”, ka thënë Abelard Tahiri, Deputet i PDK-së.

Pasi, siç u shpreh, “nën diktatin e kryeministrit, ZRRE-ja kundërligjshëm po i nxjerrë bizneset në tregun e hapur”, deputeti Tahiri i quajti “grup kriminal”.

 “Kur në këtë rast, kur i nxjerr 1300 kompani në treg të lirë dhe ua shtrenjton në 280 çmimin e energjisë elektrike dhe vëllai i shefit të stafit të kryeministrit kërkon licencë me u shitë rrymë këtyre kompanive kjo është e tmerrshme. Edhe më të tmerrshme e bën fakti që kjo është kompani që është marrë me konsulencë dhe kompani që e kemi pa në shumë raste që ka dekorua salla të organizimeve të BE-së, por kurrë jeta e tyre këta me energji nuk janë marrë”, ka thënë Abelard Tahiri, Deputet i PDK-së.

Shefi i Kabinetit të Kurtit, Luan Dalipi pak pas konferencës reagoi me një siç e quajti “qëndrim personal”, ku mes tjerash tha se MDA-ja është komapani private me pronësi 100% të vëllait të tij Dritonit që për dy dekada ka qarkulluar 27 milionë euro.

Vendimin për t’u përfshirë në këtë fushë, sipas Dalipit, vëllai i tij e kishte marrë kohë më parë.

“Po, është e vërtetë – që kur kam hyrë në Qeveri, Dritoni s’ka pushu së qenë vëllau jem (as nuk ishte për t’u pritur ndryshe 😊). Dritoni s’është ministër, s’është këshilltar, s’është as roje tek dera – është thjesht një qytetar i lirë që pas 20 vitesh punë të suksesshme në biznes, ka vendos, para rreth 1 viti, me provu fatin në tregun e liberalizuar të energjisë, si çdo tjetër. Aplikoi ligjërisht, siç bëjnë njerëzit normalë”.

Në një përgjigje për TV Dukagjini, MDA-ja theksoi se që nga themelimi më 2004 kanë vepruar si “kompani private dhe e pavarur dhe asnjëherë nuk ka përfituar nga lidhje politike apo privilegje të padrejta”.

“Deklaratat e z. Abelard Tahiri janë të pabazuara. MDA është një kompani private me mbi 20 vjet përvojë në fushën e konsulencës profesionale dhe nuk është pjesë e spektakleve mediale me prapavijë politike. Angazhimi ynë në sektorin e energjisë është në përputhje të plotë me misionin tonë për të ndihmuar zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit privat në Kosovë”- MDA

Krahas njoftimit se kanë themeluar departamentin për energji brenda kompanisë, “i cili synon të ndihmojë ndërmarrjet e mëdha në tregun e liberalizuar të energjisë”, MDA sqaroi se aplikimi i saj ka të bëjë më ofrimin e shërbimeve të furnizimit me energji për klientë komercialë.

TV Dukagjini i ka dërguar pyetje edhe ZRRE-së, por deri në transmetimin e kësaj kronike nuk ka marrë përgjigje.

Kundër vendimit të ZRRE-së për fillimin e implementimit të tregut të hapur energjetik, të enjten, nën organizimn e Odës Eknomike të Kosovës përfaqësuesve të tjerë të bizneseve, u protestua me kërkesë pezullimin edhe për të paktën 1 vit.

Masa të tjera janë paralajmëruar për javën e ardhshme, derisa liberalizimi i tregut, do të ndodhë që nga kjo fundjavë.