Kompania Management & Development Associates (MDA) ka reaguar pas deklaratave publike të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe raportimeve në media lidhur me përfshirjen e saj në tregun e energjisë.

Përmes një komunikate zyrtare, MDA ka sqaruar pozicionin e saj lidhur me procesin e licencimit dhe rolin e themeluesit të saj, Driton Dalipi, i cili është vëllai i Luan Dalipit, shef i stafit të kryeministrit në detyrë Albin Kurti.

PDK-ja dorëzoi zyrtarisht në ZRRE kundërshtimin për daljen e bizneseve në tregun e lirë: Rrezikohen mbi 140 mijë vende pune

MDA thekson se është një kompani private, e pavarur dhe me mbi 20 vjet përvojë në fushën e konsulencës, duke ofruar shërbime në zhvillimin e sektorit privat, reformat institucionale dhe asistencë teknike.

Këshilltari i Kurtit flet për kompaninë e shitblerjes së rrymës, sulmon mediat

“Driton Dalipi, pronar dhe Drejtor Ekzekutiv i MDA-së, është vëllai i Luan Dalipit, Shef i Stafit të Kryeministrit. Kjo lidhje familjare është e njohur dhe publike. Përveçse udhëheqës i suksesshëm i një kompanie konsulente për më shumë se dy dekada, Driton Dalipi është
bashkëthemelues dhe dy herë ka shërbyer si anëtar i Bordit të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, çka dëshmon përkushtimin e tij ndaj zhvillimit të sektorit privat dhe reputacionin profesional të MDA-së. Që nga themelimi në vitin 2004, MDA ka funksionuar si një kompani plotësisht private dhe e pavarur dhe asnjëherë nuk ka përfituar nga lidhje politike apo privilegje të padrejta”, thuhet në njoftim.

Më 27 maj 2025, kompania ka aplikuar në Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRRE) për licencë për furnizim me energji elektrike për klientë komercialë.

“Më 27 maj 2025, MDA ka aplikuar për licencë për furnizim me energji elektrike, në përputhje me procedurat dhe kërkesat e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE). Aplikimi ka të bëjë me ofrimin e shërbimeve të furnizimit me energji elektrike për klientë komercialë. MDA do të funksionojë sipas të njëjtave rregulla të tregut si çdo furnizues tjetër i licencuar”, thuhet më tutje në reagim.

Në reagimin e saj, kompania komentoi deklaratat deputetit të PDK-së, Abelard Tahiri, duke i quajtur të pabazuara dhe pjesë të një spektakli politik dhe mediatik.

“Deklaratat e z. Abelard Tahiri janë të pabazuara. MDA është një kompani private me mbi 20 vjet përvojë në fushën e konsulencës profesionale dhe nuk është pjesë e spektakleve mediale me prapavijë politike. Angazhimi ynë në sektorin e energjisë është në përputhje të plotë me misionin tonë për të ndihmuar zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit privat në Kosovë”, thuhet më tej në reagim.