Rekordin për trenin më të gjatë të pasagjerëve e ka fituar një kompani hekurudhore zvicerane të shtunën e 29 tetorit, me një udhëtim në një nga shinat më spektakolare nëpër Alpe.

Kompania hekurudhore “Rhaetian Railway” ishte duke drejtuar trenin 1.9 kilometra të gjatë, i cili përbëhej nga 100 karroca në rrugën “Albula-Bernina” nga Preda në Bergün.

“Ne kemi një jubile të 175 vjetorit të Hekurudhave Zvicerane dhe kjo përpjekje për rekord botëror duhet të jetë një ngjarje e madhe e këtij jubileu”, është shprehur shefi i “Rhaetian Railway”, Dr. Renato Fasciati.

Fasciati ka shtuar se kompania e tyre kishte disa telashe gjatë krizës së COVID-19 dhe nga kjo periudhë kanë humbur 30 për qind të qarkullimit për mysafirët në tren, raporton euronews.

“Dhe kështu kjo përpjekje për rekord botëror është një arsye e mrekullueshme dhe një instrument i mrekullueshëm që ne t’i tregojmë botës këtë hekurudhë të bukur”, theksoi ai.

Udhëtimi ka zgjatur më shumë se një orë, gjersa shefi i “Rhaetian Railway” u shpreh se peisazhi ishte si verat indiane, “kështu që ju shihni këto pemë të arta në këtë luginë të bukur, ne kemi këtë linjë hekurudhore me shumë viadukte dhe këtë spirale tunelesh…”.

Fasciati ka potencuar se shpreson që kur vizitorët nga vende të ndryshme të vijnë të tërhiqen nga ky rajon i Zvicrës.