Kompanitë energjetike i kërkojnë ZRrE-së shtrenjtimin e rrymës
Shqetësimi dhe ankesat pafund të kosovarëve për rrymën e shtrenjtë që paguajnë rrezikojnë të shtohen. Tri kompanitë të cilat e shpërndajnë dhe e shesin rrymën, kanë kërkuar shtrenjtimin e çmimit. Zyra e Rregullatorit të Energjisë e ka konfirmuar se KOSTT-i, KEDS-i dhe KESCO kanë dorëzuar aplikimet e tyre për shqyrtim të tarifave të reja për […]
Shqetësimi dhe ankesat pafund të kosovarëve për rrymën e shtrenjtë që paguajnë rrezikojnë të shtohen.
Tri kompanitë të cilat e shpërndajnë dhe e shesin rrymën, kanë kërkuar shtrenjtimin e çmimit.
Zyra e Rregullatorit të Energjisë e ka konfirmuar se KOSTT-i, KEDS-i dhe KESCO kanë dorëzuar aplikimet e tyre për shqyrtim të tarifave të reja për vitin 2025.
“Padyshim që rritja e kërkesës për energji në Kosovë kërkon kapacitete shtesë në transmetimin e energjisë. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për të siguruar një furnizim të qëndrueshëm dhe të besueshëm gjatë periudhave të kulmit të kërkesës”, ka njoftuar KOSTT-i
Në aplikimin e saj, KESCO është ankuar se vitin e kaluar është përballur me sfida shkaku i rritjes së konsumit dhe prodhimit të ulët vendor.
“Për të përmbushur kërkesat e tregut, janë importuar shtesë 168 GËh energji elektrike me një kosto totale prej 47.8 milionë euro, nga të cilat 35.6 milionë euro janë realizuar vetëm në tre muajt e fundit të vitit. Kjo ka shkaktuar një tejkalim të kostove të lejuara prej 39.51 milionë euro neto, duke krijuar një ndikim të rëndësishëm financiar”, kanë thënë nga KESCO.
Arsyetim të ngjashëm të kërkesës për shtrenjtim të rrymës ka bërë edhe KEDS-i.
“Barra financiare e krijuar nga kostot e paparashikuara po krijon presion të madh mbi likuiditetin dhe stabilitetin operativ të OSSH-së. Çdo mosreflektim i këtyre kostove në mënyrë të saktë dhe të plotë rrit rrezikun për operim dhe zvogëlon kapacitetin për të bërë investime të nevojshme në infrastrukturë dhe shërbime”, thuhet në njoftimin e KEDS-it.
Ekspertët e fushës së energjisë vlerësojnë se për sfidat afatshkurtra që kthehen në shtrenjtim të rrymës, Qeveria nuk ka zgjidhje, e për ato afatgjate ka dilema, meqenëse as nuk dihet sesa do t’i prekin xhepat e qytetarëve.
“Varësia energjetike në gjenerim që e kemi nga importi është një prej faktorëve që e shtyn rritjen e kostos, por në anën tjetër impiantet e vjetra që i kemi si në transmision por sidomos në distribucion ato janë duke u bërë barrë për çdo ditë e më shumë për konsumatorin”, ka thënë Adhurim Haxhimusa, ekspert i fushës së energjisë.
Vendimi i ZRRE-së për tarifat e reja të energjisë pritet të merret në fund të marsit apo në fillim në prillit dhe ato do të jenë në fuqi deri në periudhën e njëjtë të vitit 2026.















