Kompanitë ndërtimore në vështirësi të ekzekutimit të punëve pas rritjes së çmimeve

Kompanitë ndërtimore të cilat kanë lidhur kontrata me Komunat e Kosovës, janë në vështirësi të ekzekutimit të punëve, pasi ngritjes së çmimeve në treg prej së paku 100%

Në fillim pandemia Covid-19, e pastaj edhe invazioni i Rusisë në Ukrainë, ka bërë që të mos ketë stabilitet të çmimeve pothuajse në asnjë sektor, duke u nisur prej atij ushqimor e deri te sektori i materialeve të ndërtimit.

Kësaj nuk i ka shpëtuar as shteti i Kosovës, i cili menjëherë ka ndjerë efektet e tyre, duke shkaktuar kështu një jostabilitet në tregun vendor.

Ky jostabilitet i çmimeve në sektorin e ndërtimit ka paraqitur probleme të mëdha, sidomos te komunat e Kosovës dhe kompanitë e kontraktuara për projektet e tyre.

Rritja e shpejtë dhe atë në përqindje të madhe e çmimeve të materialit ndërtimor, ka qenë e paparashikueshme për kompanitë, të cilat në kohën kur janë kontraktuar nga komunat përkatëse, janë shërbyer me çmime shumë më të ulëta.

Armatura, ilustrim

Një kompani në Komunën e Ferizajt, që është duke kryer punimet për një nga projektet e kësaj komune, e ka cilësuar shqetësuese situatën në të cilën ndodhen.

Përfaqësues të kësaj kompanie kanë thënë për RTV Dukagjinin, se çmimet me të cilat janë kontraktuar në vitin 2020, nuk e mbulojnë as furnizimin e materialit dhe se, sipas tyre, çdo punë që e kryejnë po bëhet me humbje.

“Ne atë analizë të çmimit nëpër të gjitha projektet e sidomos ato afatgjate dhe projekte të vlerave të mëdha, ne e marrim në konsideratë edhe lëvizjen e çmimeve duke u bazuar në lëvizjen që ndodh brenda viteve të fundit, mirëpo inflacioni i shkaktuar gjatë kësaj periudhe e ka tejkaluar çdo pritshmëri tonën”, kanë thënë nga kompania.

Ata kanë bërë të ditur se i kanë shprehur shqetësimet e tyre te Komuna e Ferizajt dhe te monitoruesit e projektit, porse ata kanë thënë se nuk është në kompetencën e tyre kjo gjë.

Blloka, Ilustrim

“Punimet jemi duke i vazhduar me shumë vështirësi për shkak të planit dinamik, me shpresë për një zgjidhje, përndryshe, nëse brenda një kohe të shkurtër nuk bëhet zgjidhje, do të detyrohemi t’i ndërpresim punimet”, ka thënë përfaqësuesi i kompanisë.

Çmimet e furnizimit, në krahasim me çmimet e ngritura të disa prej materialeve kryesore me të cilat punojnë kompanitë, janë mbi 100%.

Armatura – Çmimi në fazën e kontraktimit – 0.51 €/kg, ndërsa në fazën e realizimit të punëve  – 1.30 €/kg – (jo stabil, rritet dita ditës). Ngritja në % është rreth 155%.

Betoni – Çmimi në fazën e kontraktimit – 45 €/m3, ndërsa në fazën e realizimit të punëve: 65 €/m3. Ngritja në % është rreth 45%.

Konstruksioni Metalik – Çmimi në fazën e kontraktimit – 0.65 €/kg, ndërsa në fazën e realizimit të punëve: 1.60 €/kg (jo stabil, rritet dita ditës). Ngritja në % është rreth 150%.

Hekuri , Ilustrim

Gjendjen e vështirë e kanë pohuar edhe nga Komuna e Ferizajt. Ata në një përgjigje me shkrim për RTV Dukagjini, kanë thënë shkurt se kompanitë e kontraktuara nga komuna janë duke pasur problem t’i përfundojnë projektet me çmimet e vjetra.

“Shumë kompani që janë të kontraktuara për punë me Komunën e Ferizajt janë duke hasur në vështirësi të shumta, sepse Komuna me këto kompani ka lidhur marrëdhënie kontraktuale me çmimet e para 6 muajve, në krahasim më çmimet aktuale, dihet fakti që janë shumëfishuar dhe ky fakt ka sjellë edhe vështirësi”, kanë thënë nga Komuna e Ferizajt.

Edhe në Komunën e Mitrovicës ka probleme të ngjashme, ata kanë thënë se, nëse gjendja vazhdon kështu, disa kompani mund ta bojkotojnë punën.

“Ka indikacione nga disa kompani se nuk do të fillojnë të ndërtojnë deri sa të bien çmimet e materialit ndërtimor, pasi me këtë trend të rritjes se çmimit i bie që edhe banesat të kenë rritje të çmimit, kurse mundësit e blerjes se banesave me çmime të rritura janë shumë të vogla”, thuhet në përgjigjen e tyre për RTV Dukagjini.

Sazan Ibrahimi, Drejtor Ekzekutiv i AKK-së

Drejtori Ekzektutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), Sazan Ibrahimi, ka kërkuar më shumë mbështetje nga niveli qendror.

Ibrahimi ka theksuar se është i nevojshëm rishikimi i buxhetit komunal.

“Kjo problematikë është ngritur nga kryetarët e komunave, dhe ata kanë kërkuar nga niveli qendror, që të ketë një zgjidhje të këtij problemi. Ne kemi pasur bisedime me përfaqësues të KRPP-së, dhe po shikojmë se si mund të zgjidhet ky problem. Edhe përfaqësuesit e KRPP-së janë pro zgjidhjes së kësaj çështje. Kërkojmë nga niveli qendror që t’ia mundësojë komunave rishikimin e buxhetit komunal, sepse kjo mundësi iu është mohuar për disa vite”, ka thënë Sazan Ibrahimi.

Në lidhje me këtë çështje, RTV Dukagjini i ka dërguar pyetje edhe Qeverisë së Kosovës dhe Ministrisë së Financave, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.

Shija e redaktorit

Presidentja Osmani nderohet me Çmimin e Evropës nga Fondacioni Pan-Europian

Fondacioni Fondacioni Pan-Evropian Richard Coudenhove-Kalergi i ka ndarë Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, çmimin e ‘Evropës’, për përkushtimin e saj ndaj raporteve me partnerët...

Nis ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë...

Ka filluar ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë së Kosovës. Sot diplomojnë 445 kadetë të Policisë së Kosovës. Kryeministri i Republikës së Kosovës,...

Policia konfirmon arrestimin e Akil Gjakovës

Policia e Kosovës, ka arrestuar xhudistin Akil Gjakova, si të dyshuar për veprën penale dhunë në familje. Lajmin për Portalin Dukagjini e ka konfirmuar zëdhënësi...

Të fundit nga rubrika