Një libër që flet për vitin 2043, në Panairin e Librit të vitit 2024 në Prishtinë, po nënshkruhet nga autori për libradashësit, sidomos të autorit të saj.

Bëhet fjalë për “Komplotin” e autorit Ben Blushi, i cili që nga publikimi i kësaj vepre ka zgjedhur ekskluzivisht ta sjellë në Librarinë “Dukagjini”.

Ai erdhi edhe të shtunën në panair dhe zgjodhi që të takoj lexuesit të cilët ishin të interesuar për librin e tij.

Shkrimtari, politikani e gazetari Blushi thekson se është i kënaqur me interesimin për librin, pavarësisht që gjendemi në periudhën e rrjeteve sociale.

“Unë kam dy botues, në Shqipëri kam një botues tjetër, në Kosovë botoj me Dukagjinin, një shtëpi botuese shumë prestigjioze dhe jam shumë i kënaqur nga shitja e librit, por prapë duhet thënë se libri ka një rënie sepse njerëzit lexojnë pak më pak, kohët e vështira bëjnë të vetën dhe rrjetet sociale kanë shkatërruar raportin me librin”, ka thënë shkrimtari Ben Blushi.

Blushi po ashtu thekson se është pikërisht letërsia, specifikisht libri, faktori më i rëndësishëm që ka bërë bashkë dy shtetet shqipfolëse, Shqipërinë e Kosovën.

“Gjuha e shkruar dhe e folur ka qenë lidhja kryesore në mes shqiptarëve të Shqipërisë dhe atyre të Kosovës edhe kur këto shtete kishin kufinjë, kufinjët politik, gjuha nuk ka pasur kufinj kurrë. Pra gjuha kapërcen kufinjët edhe muret kështu që kur kjo ka funksionuar para 40-50 apo gati 100 vitesh sot është më e lehtë, kufiri është i hapur edhe shtëpitë botuese të Shqipërisë e Kosovës janë pothuajse njëllojë”, është shprehur Blushi.

Autori i disa librave që tashmë janë me namë, kur flet për planet e tij në të ardhmen. Blushi nuk do i ndalet së shkruari.

“Nuk ndahem dot nga e shkruara, tani nuk është vetëm pasion por tani është kthyer edhe në një lloj profesioni për mua kështu që jetoj për të shkruar në një kuptim”, tha Blushi.

Për botimin e “Komplotit” Blushi në fund të vitit 2023 zgjodhi pikërisht shtëpinë botuese “Dukagjini”.

“Komploti”, është një roman futurist, me ngjarjet që zhvillohen në vitin 2044, kohë kur në Shqipëri është krijuar një komunitet i madh afgan, ndërkohë që popullsia shqiptare është pakësuar mjaft.