Komuna e Malishevës: EULEX-i e ka arrestuar Isni Kilajn
Komuna e Malishevës ka njoftuar se mbrëmjen e së enjtes, ish-kryetari i kësaj komune, Isni Kilaj, është arrestuar nga EULEX-i. “Komuna e Malishevës, me shqetësim të madh ka marrë informacionin se EULEX-i mbrëmë ka arrestuar ish kryetarin e Komunës së Malishevës, z.Isni Kilaj. Paraprakisht, policia e EULEX-it ka bastisur shtëpinë e z.Kilaj, e rrjedhimisht ka […]
Komuna e Malishevës ka njoftuar se mbrëmjen e së enjtes, ish-kryetari i kësaj komune, Isni Kilaj, është arrestuar nga EULEX-i.
Po ashtu, në reagimin e komunës kërkojnë që Gjykata Speciale të ndalojë këtë gjë, të cilën e kanë quajtur “përndjekje të çlirimtarëve”.
“Kërkojmë që kjo Gjykatë dhe gjykatat tjera kompetente, përfshi edhe Tribunalin e Hagës, që të merret me ndjekjen, arrestimin dhe dënimin e autorëve të vrasjes së afër 400 civilëve të Komunës së Malishevës gjatë viteve 1998-1999 nga ushtria dhe policia e shtetit të Serbisë”, thuhet në reagimin e komunës së Malishevës.
Gjithashtu, nga kjo komunë kërkohet lirimi i menjëhershëm i Kilajt dhe i ish-krerëve të luftës së UÇK-së.
“Kujtojmë se në territorin e Komunës së Malishevës, janë vrarë afër 400 civil të pafajshëm, madje janë vrarë në mënyrën më mizore të mundshme dhe deri më sot, nuk është dënuar askush dhe nuk është zhvilluar asnjë proces gjyqësor për këto vrasje, as për dy masakrat e mëdha, atë të Burimit dhe të Gollubovcit”, thuhet tutje në reagimin e tyre.
Më herët, më 2 nëntor, shtëpitë e ish-kryetarit të komunës së Malishevës, Isni Kilaj, kanë qenë cak i bastisjeve nga hetuesit e Gjykatës Speciale.
Arsyet e bastisjes në dy pronat e tij ende nuk dihen.
Kilaj, në dhjetor të 2019-ës, ishte intervistuar nga prokurorët e Gjykatës Speciale në Hagë.
Gjatë javës, hetues të ZPS-së kanë bastisur shtëpitë e tre ish-këshilltarëve të ish-presidentit Hashim Thaçi, atë të Blerim Shalës, të Artan Behramit dhe të Ismajl Sylës.















