Komuna e Mitrovicës së Veriut ka nënshkruar kontratën e parë me KRU “Mitrovica”, duke u bërë konsumatori i parë zyrtar i ujësjellësit në këtë komunë.

Marrëveshja u firmos nga kryeshefi ekzekutiv i KRU “Mitrovica”, Bashkim Kurti, dhe kryetari i komunës, Erden Atiq.

“Kryeshefi Ekzekutiv i KRU “Mitrovica”, z. Bashkim Kurti, dhe kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut, z. Erden Atiq, kanë nënshkruar kontratën për konsumatore, vendosjen dhe regjistrimin e ujëmatesit e që njekohësisht nënkupton edhe faturimin dhe inkasimin e ujit të shpënzuar në objektin komunal.

Ky është një hap i parë simbolik, por shumë domethënës – një model që do të pasohet me lidhjen e kontratave me të gjitha institucionet publike, bizneset dhe qytetarët e kësaj komune.

Bashkëpunimi institucional është kyç për një shërbim të qëndrueshëm, legal dhe me cilësi për të gjithë!

KRU “Mitrovica” mbetet e përkushtuar që çdo konsumator të trajtohet me përgjegjësi dhe barazi – nga institucioni i parë, e deri te konsumatori i fundit”, thuhet në njoftim.