Komuna e Prishtinës ka njoftuar për ndryshime në organizimin e qarkullimit të automjeteve në lagjen Lakrishte, pas përfundimit të një pjese të punimeve infrastrukturore në këtë zonë.
Sipas njoftimit, është bërë rikthimi i qarkullimit në gjendjen e mëparshme në rrugët “Hekurudha” dhe “Vicianum”, si pjesë e riorganizimit të trafikut të miratuar nga kryetari i kryeqytetit.
Rruga “Hekurudha” tashmë do të jetë me një kah qarkullimi, duke filluar nga kryqëzimi me rrugën “Magjistralja M-2” dhe duke vazhduar në drejtim të rrugëve “Tirana” dhe “Bekim Fehmiu”. Ndërsa rruga “Vicianum” do të funksionojë gjithashtu me një kah, nga kryqëzimi me rrugën “Ahmet Krasniqi” në drejtim të “Magjistrales M-2”.
Ndërkohë, rrugët “Bekim Fehmiu” dhe “Tirana” do të vazhdojnë të mbeten me qarkullim në të dy drejtimet.
Komuna thekson se këto ndryshime janë bërë me qëllim të përmirësimit të rrjedhës së trafikut dhe rritjes së sigurisë në komunikacion, pas përfundimit të punimeve në këtë pjesë të Lakrishte-s.
Autoritetet u bëjnë thirrje të gjithë pjesëmarrësve në trafik që të respektojnë sinjalistikën rrugore dhe të tregojnë kujdes të shtuar gjatë qarkullimit në këtë zonë.