Në vend që renovimi i banesave t’ju sillte rehati, banorëve të bllokut të përfunduar pranë “Rrethit me flamur” u ka sjell frikë.

Komuna e Prishtinës përfundoi fasadën, kulmin, dritaret por, harroi sigurinë.

Kjo ngase mbrojtëset metalike të vendosura në secilin ballkon, nuk i ka kthyer përsëri në vendin e vet ndonëse renovimin në këtë pjesë e ka përfunduar.

Shufrat metalike që u larguan për të mundësuar renovimin e plotë të banesave, janë lënë poshtë tek hyrja kryesore e apartamenteve.

Aty po qëndrojnë nga muaji nëntor i vitit të kaluar kur edhe u përfundua renovimi, bashkë me disa mbrojtëse të reja që u sollën me 8 prill.

Në përpjekje për të evituar ndonjë tragjedi, banorët thonë se  kjo neglizhencë, u ka vështirësuar jetesën.

Kemi shqetësime për fëmijët, na është dashur të bllokojmë dyert dhe dritaret që të jenë të sigurt. Koha po ngrohet dhe kemi probleme për të dalur lirshëm në ballkon. Po duhet të kemi nonstop kujdesin maksimal që mos të kenë qasje për të dalë në ballkon. – tha një banor i bllokut  banesor

Ankesat thonë se i kanë adresuar në instancat komunale por që nuk kanë marrë epilog për çështjen.

Kërkesa jonë është që si banor të kësaj lagjeje është që komuna të jetë më e interesuar për projektin që e ka nis te na. I kemi falënderuar por bashkëpunimi duhet të jetë me banor dhe me kompaninë që e ka marrë përsipër, parregullsi që i kemi raportuar e s’na janë marrë për bazë. Nuk i kanë monitoruar.  Pamje më të bukur i kanë dhënë po masi kanë vendosë t’a realizojnë tek ne, të jenë më vigjilent për punën.

Por, në Komunën e Prishtinës thanë se nuk janë në dijeni dhe për rastin dëgjuan nga televizioni kurse premtuan masa të menjëhershme.

Të them të drejtën s’paskam qenë në dijeni mirëpo po e marr si vërejtje me të drejtë. Mbetet të kontaktoj menaxherin e kontratës dhe të shoh se çka është fjala. Kërkoj ndjesë që ka ndodhë diçka e tillë sepse puna është dashur të finalizohet duke i kthyer gilinderat. Po ju premtoj juve dje banorëve që menjëherë do interesohem qysh sot me menaxherin nëse jo sot nesër dhe rë premten do filloj vendosja e tyre. – tha Brestovci.

Blloku banesor, që ka qenë në gjendje të tmerrshme që nga paslufta, pa fasadë e kushte elementare, është rinovuar në kuadër të një projekti për efiçiencë të energjisë dhe kontrata e dytë për objekte të tjera në vlerë prej 3 milionë, pritet të nënshkruhet muajt në vazhdim.

Në këtë pjesë do hyjë renovimi i bllokut të pambaruar tek “rrethi me flamur” si dhe ndërtesat te blloku 1.