Vendimi i komunës i dha fund rezistencës së familjes Maxhuni.
Anëtarë të kësaj të fundit qenë kundër rrënimit të shtëpisë së tyre tek rruga “A” në kryeqytet deri këtë të enjte.
Ekipe nga komuna e Prishtinës, zbatuan urdhërat e kryetarit, andaj nisën rrënimin.
Pronarja e shtëpisë, Shqipe Berisha u dërgua për trajtim mjekësor për shkak të gjendjës së rëndë emocionale.
Përplasje verbale me Policinë patën familjarë të tjerë që po shikonin nga afër rrënimin.
Për rreth një orë gjithçka nga streha e familjes Maxhuni u shkatërrua.
Kundër komunës janë edhe fqinjt, të cilët mohuan se prona i takon komunës.
“A i fotografut, nuk është pronë komunal, të mujt me gjetë një vendim që kjo është pronë e komunës, ata në shfrytëzim e kanë. Na kemi mujt me ba dallavere me shku në Serbi e me i përkthy po nuk jemi shku po këta që na e kanë shit kanë ba dallavere na kanë mashtru që ku janë që i kanë banesat le të shkojnë te marrin pronarin”, ka thënë fqinji i familjes, Fadil Krasniqi.
Ai konsideron që kryetari është dashur t’i takojë paraprakisht.
“Është dashtë, është dashtë na jena shku e nuk kanë dal. U dashtë me ardh se na njerëz jemi nuk jemi kafsh u dasht me ardh. Se kur nuk solidarizohesh ti me mu çka më duhet mu jeta se kryetari nuk e ka rrëzu, mafia e ka rrëzu këta”, ka shtuar Krasniqi.
Në gjendje të rënduar ishin edhe familjarë të tjerë të pronarëve, të cilët ndonëse s’u deklaruan para mediave, prapa kamerave akuzuan komunën për shkelje të së drejtës së pronës.
Një ditë më parë, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama përmes një shkrimi në Facebook tha se shtëpia ishte ndërtuar pa leje dhe në pronën e komunës.
Rama bëri të ditur komuna ka paguar dhe vazhdon të paguajë shpenzimet e qirasë për këtë familje të evakuuar.