“Deri të premten rregullohet”… Një javë kohë. Kaq ishte intervali kohor që Drejtori i Shërbimeve Publike, Bekim Brestovci kishte dhënë lidhur me rregullimin e mbrojtëseve të sigurisë, te banesat e fasaduara tek “Rrethi me flamur”.

Banesat të cilat ishin në gjendje të tmerrshme që nga paslufta, komuna e Prishtinës ka arritur t’i fasadojë por banorët i ka lënë brenda.

Ballkonet janë të pasigurta për ta, marrë parasysh që rrethojat që operatori ekonomik i kishte larguar vet, i ka lënë në hyrje të bllokut të banesave.

E gjendja e njëjtë po vazhdon edhe këtë javë.

“Jam një banor i objektit të renovuar te Rrethi me Flamur. Deshta t’ju njoftoj se pas storjes së publikuar nga ju, janë marrë masa vetëm për disa ballkona në numër shumë të vogël dhe punimet janë ndalur. Të lutem, nëse ke mundësi me kontaktu me zyrtarët e Komunës sepse jemi në rrezik shumë të madh”, ankohet një banor.

E nga Komuna, këtë e kanë arsyetuar me nevojën e një kontrate të re e cila mbetet në proces finalizimi.

“Jemi në fazën përfundimtare të e nënshkrimit të një kontrate të re për rrethojat e sigurisë dhe jo vetëm ai lokacion, kemi identifiku edhe të tjerë. Për atë është hap procedurë tenderimi. Është në fazën përfundimtare dhe posa ta kemi kontratën e re do jemi në terren dhe do ti sanojmë të gjitha”, ka deklaruar Bekim Brestovci, Drejtor i Shërbimeve Publike.

Blloku banesor është rinovuar në kuadër të një projekti për efiçiencë të energjisë dhe sipas komunës, kontrata e dytë për objekte të tjera në vlerë prej 3 milionë, pritet të nënshkruhet muajt në vazhdim.

Në këtë pjesë do hyjë renovimi i bllokut të pambaruar tek “rrethi me flamur” si dhe ndërtesat te blloku 1.