Komuna s’pranon t’ia paguajë borxhin “Pastrimit” në KMDK
Kompania Regjionale e Mbeturinave “Pastrimi” është e zhytur në borxhe. Në vazhdën e detyrimeve hyn edhe borxhi në Kompaninë për Menaxhimin e Deponive në Kosovë (KMDK), borxh i cili sipas zyrtarëve komunalë, kalon shifrën prej 1 milionë e 500 mijë eurosh. Për rrjedhojë, KDMK më nuk pranon mbeturinat e “Pastrimit” ç’ka ka rezultuar me një […]
Kompania Regjionale e Mbeturinave “Pastrimi” është e zhytur në borxhe.
Në vazhdën e detyrimeve hyn edhe borxhi në Kompaninë për Menaxhimin e Deponive në Kosovë (KMDK), borxh i cili sipas zyrtarëve komunalë, kalon shifrën prej 1 milionë e 500 mijë eurosh.
Për rrjedhojë, KDMK më nuk pranon mbeturinat e “Pastrimit” ç’ka ka rezultuar me një lokacion tjetër për lënien e mbeturinave të “Pastrimit”.
Ky i fundit, ato tash e thuajse një vit, po i deponon në bazën e vet në Emshir të Prishtinës, duke krijuar një deponi ilegale.
Në seancën e Kuvendit Komunal, ishte Lëvizja Vetëvendosje ajo e cila propozoi që komuna të ofrojë ndihmë.
“Arsyeja e parë, prej të gjithë parametrave financiar që marrim nga “Pastrimi”, është shumë e qartë që nuk kanë kapacitet ta pastrojnë borxhin e grumbulluar ndër vite e që është pasojë e keqmenaxhimit. S’kanë kapacitet ta paguajnë vet po si shkak i keqmenaxhimit, s’kanë faj as qytetarët e as punëtorët e “Pastrimit”. E shohim si të domosdoshëm intervenimin se komuna e Prishtinës ka mbi 70 për qind të aksioneve”, ka thënë Gëzim Sveçla, Shef i asamblistëve të LVV-së.
E propozimeve mbi këtë çështje, Lidhja Demokratike iu përgjigj duke e braktisur sallën, veprim i cili u kritikua nga Vetëvendosja.
“Vlerësoj se është papërgjegjësi politike ndaj banorëve të Prishtinës që për një çështje kaq të ndjeshme duke e ditur se me ç’ka jemi përballur, veprimi i LDK kur e lëshuan sallën kjo i shton dyshimet tona se qëllimi i këtij ekzekutivi është sabotimi i ndërmarrjes dhe hyrja në treg e operatorëve privat”, ka thënë Gëzim Sveçla, shef i asamblistve të LVV.
Por një qëndrim për Dukagjinin e ka dhënë vet komuna e cila, propozimin as nuk e ka konsideruar.
“Sa i përket propozimit për subvencionim të borxhit të Ndërmarrjes ‘Pastrimi’ ndaj KMDK-së është një shumë që është akumuluar ndër vite dhe është tejet e lartë, Komuna e ka të pamundur që shumën mbi 1 milion euro t’ia subvencionoj ndërmarrjes, aq më tepër që kjo ka ndodh edhe si pasojë e keqmenaxhimit në përgjithësi”, ka thënë Donat Lushaku – Zëdhënës i komunës së Prishtinës.
Siç ka ndodhur rëndom që nga problemet me mbeturinat në kryeqytet e deri tek greva e punëtoreve, kryeshefi i ndërmarrjes “Pastrimi”, Petrit Reçica nuk ka dhënë një qëndrim lidhur me çështjen.
Nga ana tjetër, lidhur me deponinë pranë selisë së saj, “Pastrimi” ishte gjobitur vitin e kaluar nga Inspektorati komunal.















