Në samitin e gjashtë të Komunitetit Politik Evropian, që po mbahet në Tiranë, presidentja Vjosa Osmani përsëriti kërkesën e saj për heqjen masave ndëshkuese – teksa kritikoi qasjen e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës.

Presidentja Osmani tha se shpreson që Ballkani Perëndimor të ketë më shumë vëmendje, por nuk ishte optimiste, meqë sipas saj “gjithmonë ka fjalë të bukura”, por realiteti është ndryshe.

Ajo tha se ka një lojë faji ndërmjet shteteve të bllokut 27-anëtarësh në raport me mungesën e vendimmarrjes për këtë çështje, përkundër raportit që rekomandon heqjen e masave.

“Gjatë darkës në prezencë të të gjithëve unë e kam ngritur çështjen e masave, sepse flitej për ndërtimin e besimit në raport me BE-në, megjithatë më shumë përkrahen ata që shkojnë në Moskë, sesa ne që jemi 100% në përputhje me politikat e BE-së. Nuk është se ndonjëri nga liderët e BE-së ka diçka konkrete që i kërkon Kosovës, sepse edhe ato që janë kërkuar, janë plotësuar nga Kosova, sa i përket heqjes së masave”, deklaroi Presidentja Vjosa Osmani.

Pasi konfirmoi se nuk do të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, presidentja Vjosa Osmani foli për vizitën e Kaja Kallas në Prishtinë javën e ardhshme, duke thënë se Përfaqësuesja e Lartë e BE-së po harton një plan të ri për dialogun.

“Ai është në hartim e sipër, në përpilim e sipër, ai nuk i është prezantuar ende palëve të dialogut. Në qoftë se do ta prezantoj sot apo jo, zonja Kallas, në takimin që e kam me të, nuk mund të paragjykoj. Por nëse prezantohet, natyrisht që Kosova do t’i ketë komentet e saja, idetë dhe propozimet e veta”, deklaroi Presidentja Vjosa Osmani.

Duke konfirmuar vizitat në Kosovë dhe Serbi, javën që vjen, shefja e politikës së jashtme dhe sigurisë së bllokut evropian, foli për rëndësinë e normalizimit të marrëdhënieve.

“Para disa muajsh kemi emëruar Përfaqësuesin e Posaqëm për Dialogun Kosovë-Serbi, dhe presim normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre”, deklaroi Kaja Kallas, Përfaqësuese e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-së, Mark Rutte, ndërkaq, theksoi rëndësinë e ruajtjes së sigurisë dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor, duke veçuar Kosovën, Bosnjë e Hercegovinën dhe Serbinë.

Teksa përmendi disa prej kushteve e kritereve, lidhur me aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, foli Sekretari i Përgjithshëm i këtij institucioni, tha se vendimi për të avancuar tutje u takon shteteve anëtare.

“Një tjetër pikë është, siç e dini, përfshirja dhe diskutimi për tërë popullatën që jeton në territorin e Kosovës, po ashtu për rajonin verior, ju i dini saktësisht kushtet, elementet, të vendosura në tavolinë nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës. Ky do të jetë element kyç dhe i rëndësishëm në këtë diskutim”, deklaroi Alain Berset, Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës.

Në kuadër të Samitit, Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri kroat Andrej Plenkovic, bashkëkryesuan sesionin për sigurinë dhe migracionin.