Në Ditën Botërore të Veshkës, më 29 shkurt do të organizohet konferenca shkencore “Sëmundjet e rralla në nefrologji”, në amfiteatrin e Fakultetit të Mjekësisë në Prishtinë.

Për të shpalosur detajet më të hollësishme nga trajnimi që do të mbahet, e ftuar në emisionin “Reload” në Televizionin Dukagjini është nefrologia, profesoresha Lidvana Spahiu.

“Shoqata e Nefrologëve organizon konferencë për sëmundjet e rralla të veshkëve. Qëllimi i këtij organizimi është sensibilizimi i popullatës apo masës me u njoftu me sëmundjet të cilat asnjëherë nuk kanë dëgjuar, mirëpo që takohemi me këto sëmundje. Pjesëmarrës do të jenë profesionistët e kësaj lëmie, gjithsesi dhe e hapur për të gjithë”, ka thënë Spahiu.

Sa i përket se çka është të jesh nefrolog, Spahiu ka theksuar se “mjeku nefrolog është mjeku i cili merret ekskluzivisht me sëmundjet e traktit urinar, duke përfshirë veshkët dhe kanalet urinare”.

Ndërsa, panelistë të këtij eventi do të jenë prof.Dr.Lidvana Spahiu, Dr. Mimoza Berbatovci Ukimeraj, Dr.Shqipe Spahiu-Konjusha, Dr. Siada Selmani dhe do të zgjasë nga ora 09:00-13:00.

Disa nga temat që do të trajtohen do të jenë Brachio Oto Renal Syndrome, Cystinoza, Gitelman Syndrome, Veshkët plicistike, Sëmundjet e rralla, Mucipolisaharidosis Tip B, Angieoedema Hereditare etj.