Konfirmohet, çështja e vizave hiqet nga agjenda e BE-së

Presidenca Çeke ka konfirmuar se propozimi për liberalizimin e vizave për Kosovën, i cili parasheh lëvizjen e lirë jo më larg se data 1 janar e vitit 2024, u hoq nga agjenda e takimit të sotëm të ambasadorëve të vendeve anëtare të BE-së

Flamuj të Bashkimit Evropian





Presidenca Çeke në një komunikatë dërguar mediave, ka bërë të ditur se propozimi për liberalizimin e vizave për Kosovën, i cili parasheh lëvizjen e lirë jo më larg se data 1 janar e vitit 2024, u hoq nga agjenda e takimit të sotëm të ambasadorëve të vendeve anëtare të BE-së.

“Tema për liberalizimin e vizave për Kosovën u hoq nga rendi i ditës së COREPER (Ambasadorëve) sot”, thuhet në përgjigjen e zëdhënëses së Presidencës Çeke, Eva Hrnčířová.

Arsyet për këtë janë politike dhe lidhen me situatën në veri të Kosovës.

Tutje thuhet se Presidenca Çeke e mban Ballkanin Perëndimor lart në agjendën e saj, veçanërisht tani përpara Samitit BE-Ballkani Perëndimor.

“Çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën është në procedurë të brendshme të Këshillit”, thuhet tutje.

Presidenca çeke ka bërë thirrje për deeskalim të menjëhershëm të situatës aktuale në veri të Kosovës në lidhje me targat e veturave.

Situata në veri të Kosovës është tensionuar, për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës, për të nisur procesin e riregjistrimit të makinave me targa ilegale serbe.

Serbët në veri, të kontrolluar në masë të madhe nga Beogradi zyrtar, i kundërshtojnë targat e Kosovës, RKS dhe kanë paralajmëruar rezistencë ndaj tyre.

Aktualisht është e pezulluar – deri më 24 nëntor – faza e dytë e planit të tij, në përpjekje për t’i dhënë mundësi gjetjes së një zgjidhjeje të pranueshme për të dyja palët.

Të mërkurën në Bruksel do të takohen kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq – nën ndërmjetësim të të dërguarit të Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak – për të diskutuar zgjidhjen për çështjen e targave ilegale serbe.

Të martën e 22 nëntorit, këshilltarët për viza në Këshillin e BE-së u pajtuan me propozimin që liberalizimi i vizave për Kosovën të hyjë në fuqi më 1 janar të vitit 2024.

Kjo datë ishte kërkesë e Spanjës – njërit prej pesë vendeve të BE-së që nuk e njeh ende pavarësinë e Kosovës – pasi presidenca çeke e BE-së kishte propozuar fillimisht datën 1 dhjetor, 2023.

Sipas propozimit të ri të miratuar, “hyrja në fuqi e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës do të nisë në kohën kur të jetë funksional sistemi i udhëtimit ETIAS, por jo më vonë se më 1 janar të vitit 2024”.

Miratimi i këtij propozimi pritej të dilte në rend dite në takimin e sotëm të ambasadorëve të vendeve anëtare të BE-së, për të vazhduar më pas nëpër instanda të tjera.

Liberalizimi i vizave do t’u mundësojë qytetarëve të Kosovës të udhëtojnë lirshëm në atë që njihet si zona Schengen, e që përbëhet prej 26 shtetesh evropiane.

Aktualisht, Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e të cilit nuk mund të lëvizin lirshëm në këtë zonë.

Kjo, përkundër faktit se Komisioni Evropian, qysh në vitin 2018, ka konfirmuar disa herë se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave, por kanë qenë disa vende anëtare që vazhdimisht kanë shprehur rezerva.

Në një takim të grupit punues për viza të Këshillit të BE-së, të mbajtur më 13 tetor, zyrtarët francezë propozuan që liberalizimi i vizave për Kosovën të lidhet me funksionalizimin e të ashtuquajturit sistem ETIAS.

Ky sistem digjital synon të bëjë evidentimin e vizitorëve që hyjnë prej jashtë BE-së në zonën e lëvizjes së lirë, Schengen.

ETIAS është dashur të nisë së funksionuari në vitin 2022, por data është shtyrë disa herë dhe tani si afat përmendet nëntori i vitit 2023.

 

 

 





Shija e redaktorit

Voton Bujar Osmani, kandidat për president i Maqedonisë Veriore

Kandidati për president i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka votuar. Në një deklaratë para medieve, Osmani inkurajoi qytetarët të dalin në numër sa më...

Presidentja Osmani nderohet me Çmimin e Evropës nga Fondacioni Pan-Europian

Fondacioni Fondacioni Pan-Evropian Richard Coudenhove-Kalergi i ka ndarë Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, çmimin e ‘Evropës’, për përkushtimin e saj ndaj raporteve me partnerët...

Nis ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë...

Ka filluar ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë së Kosovës. Sot diplomojnë 445 kadetë të Policisë së Kosovës. Kryeministri i Republikës së Kosovës,...

Të fundit nga rubrika