Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) ka njoftuar se një paciente, shtetase e huaj, është trajtuar në Klinikën Infektive pas pranimit në gjendje të rëndë shëndetësore.
Sipas njoftimit të publikuar nga QKUK në Facebook, pacientja është pranuar më 1 gusht 2026 pa vetëdije dhe me parametra vitalë e laboratorikë të çrregulluar.
Pas ekzaminimeve mjekësore, ajo është transferuar në Klinikën Infektive, ku gjatë vlerësimit epidemiologjik është konstatuar se kishte udhëtuar së fundmi në vende ku malaria është endemike. Analizat specifike më pas kanë konfirmuar diagnozën e malaries.
QKUK ka bërë të ditur se trajtimi specifik antimalarik ka nisur menjëherë pas konfirmimit të diagnozës dhe pacientja po vazhdon trajtimin nën përkujdesjen e infektologëve.
“Fillimisht, ajo ka nisur të komunikojë me vështirësi, ndërsa sot, më 5 gusht 2026, gjendja e saj është e qëndrueshme. Pacientja komunikon lirshëm, ndërsa parametrat vitalë dhe laboratorikë po kthehen gradualisht në vlera normale”, thuhet në njoftimin e QKUK-së.
Nga QKUK kanë sqaruar se malaria nuk transmetohet nga personi në person përmes kontaktit të zakonshëm, por zakonisht përmes pickimit të mushkonjave të infektuara.
Sipas të dhënave të mbikëqyrjes epidemiologjike, gjatë viteve 2022–2025 në Kosovë janë raportuar tetë raste të malaries, të gjitha të importuara nga persona që kishin udhëtuar në vende të Afrikës ose kishin ardhur prej tyre.
QKUK thekson se deri më tani në Kosovë nuk është evidentuar asnjë rast i transmetimit lokal të malaries.