Konfirmohet rasti i parë i murtajës së ruminantëve të vegjël në një fermë në Prizren
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka konfirmuar rastin e parë të sëmundjes Murtaja e Ruminantëve të Vegjël (PPR) në Kosovë, konkretisht në një fermë në fshatin Landovicë të Komunës së Prizrenit. Sipas njoftimit, dyshimet për këtë sëmundje virale janë paraqitur ditë më parë, ndërsa pas analizave laboratorike të kryera në Laboratorin e Ushqimit dhe […]
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka konfirmuar rastin e parë të sëmundjes Murtaja e Ruminantëve të Vegjël (PPR) në Kosovë, konkretisht në një fermë në fshatin Landovicë të Komunës së Prizrenit.
Sipas njoftimit, dyshimet për këtë sëmundje virale janë paraqitur ditë më parë, ndërsa pas analizave laboratorike të kryera në Laboratorin e Ushqimit dhe Veterinarisë, sot është konfirmuar pozitivisht prania e PPR-së në fermën e dyshuar.
Mostrat e marra në fermat përreth kanë rezultuar negative.
Menjëherë janë ndërmarrë masa urgjente për ndalimin e përhapjes së sëmundjes. Landovica është shpallur vatër e infektuar, ndërsa një perimetër prej 3 kilometrash është vendosur në karantinë të plotë, me ndalim të çdo lëvizjeje të kafshëve, transportit dhe produkteve të tyre.
Fermat përreth janë nën hetim epidemiologjik dhe në to po zbatohen masa të rrepta të biosigurisë dhe dezinfektimit, në përputhje me protokollet veterinare.
Përjashtimisht, lejohet dërgimi i kafshëve nga fermat e lira në thertore të licencuara, por vetëm me miratimin paraprak të inspektorit veterinar të AUV-së.
Gjithashtu, të gjithë menaxherët e tregjeve janë urdhëruar të pezullojnë menjëherë pranimin e deleve dhe dhive në hapësirat e tyre, ndërsa zbatimi i këtyre masave do të mbikëqyret nga Policia e Kosovës dhe komunat në bashkëpunim me AUV-në.















