Një aksion i Prokurorisë së Shtetit, Doganës së Kosovës dhe ATK-së ka rezultuar me konfiskim të 10 mijë e 480 parfumeve në vlerë prej 94 mijë e 320 eurove, dje në Obiliq.

Këto parfume janë sekuestruar në gjashtë lokacione të ndryshme.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se në cilësinë e të dyshuarve janë intervistuar tre persona, të cilët në konsultim me prokurorin janë liruar në procedurë të rregullt.

“Në vazhdën e luftës kundër dukurive negative dhe kontrabandës, me datë 11.06.2024, Policia e Kosovës, respektivisht njësitë relevante policore në bashkëpunim me institucionet kompetente si Prokuroria, Dogana dhe Administrata Tatimore e Kosovës kanë zbatuar urdhrin e gjykatës, ku janë kontrolluar gjashtë lokacione të ndryshme dhe janë sekuestruar 10480 copë parfume në vlerë prej 94320 euro dhe dëshmi tjera materiale. Në cilësinë e të dyshuarve janë intervistuar tre persona të cilët në konsultim me prokurorin janë liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin e PK-së.