Konflikti Izrael-Hamas, vazhdojnë përpjekjet për një marrëveshje të re për lirimin e pengjeve

Sot, kreu i CIA-s, William Burns, ka udhëtuar në Evropë për bisedime me zyrtarët izraelitë dhe të Katarit, duke shprehur sinjale për mundësinë e një armëpushimi të ri dhe të lirimit të pengjeve në Gazë. Në të njëjtën kohë, sekretari i Mbrojtjes, Lloyd Austin, ka biseduar me udhëheqës ushtarakë izraelitë për kufizimin e operacioneve luftarake kundër Hamasit

Kreu i CIA-s të hënën shkoi në Evropë për bisedime me zyrtarët izraelitë dhe të Katarit, duke sinjalizuar mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje për një armëpushim të ri dhe lirimin e pengjeve në Gazë, ndërsa sekretari i Mbrojtjes bisedoi me udhëheqës ushtarakë izraelitë për kufizimin e operacioneve luftarake kundër Hamasit.

Megjithatë, nuk ka asnjë shenjë për një ndryshim të shpejtë të situatës, pas më shumë se dy muaj bombardimesh dhe luftimesh shkatërruese. Beteja të ashpra u zhvilluan në Gazën veriore, ku banorët thanë se ekipet e kërkim-shpëtimit po kërkonin për të vdekur dhe të gjallë nën ndërtesat e rrafshuara nga sulmet izraelite.

Trysnia po shtohet ndërsa Franca, Britania e Madhe dhe Gjermania, disa nga aleatët më të afërt të Izraelit, iu bashkuan thirrjeve globale për një armëpushim gjatë fundjavës. Protestuesit izraelitë kanë kërkuar që qeveria të rifillojë bisedimet me Hamasin për lirimin e më shumë pengjeve, pasi tre prej tyre u vranë gabimisht nga trupat izraelite ndërsa po valëvisnin një flamur të bardhë.

Zyrtarët amerikanë kanë shprehur vazhdimisht shqetësimin për numrin e madh të vdekjeve të civilëve në Gazë. Por, pas bisedimeve me zyrtarët izraelitë të hënën, sekretari i Mbrojtjes, Lloyd Austin, tha se “ky është operacion i Izraelit. Unë nuk jam këtu për të diktuar afate kohore ose kushte.” Shtetet e Bashkuara u kanë vënë veton thirrjeve për një armëpushim në OKB dhe kanë dërguar municione në Izrael.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së shtyu një votim për të martën mbi një rezolutë të propozuar nga vendet arabe, që bën thirrje për ndalimin e luftimeve për të lejuar dërgimin e ndihmave humanitare, në përpjekje për të shmangur një tjetër veto nga Shtetet e Bashkuara. Diplomatët thanë se po zhvillohen negociatat për të bindur ShBA-në që të abstenojë ose të votojë në mbështetje të rezolutës.

Kryeministri, Benjamin Netanyahu, ka këmbëngulur se Izraeli do të vazhdojë të luftojë derisa t’i japë fund sundimit të Hamasit në Gazë, të shkatërrojë aftësitë e tij të frikshme ushtarake dhe të lirojë pengjet që ende mbahen në Rripin e Gazës që nga sulmi vdekjeprurës i 7 tetorit brenda Izraelit. Në sulmin e pashembullt, militantët vranë rreth 1200 njerëz, kryesisht civilë, dhe rrëmbyen rreth 240 burra, gra dhe fëmijë. Ky veprim nxiti një reagim të fortë ushtarak të Izraelit.

Lufta që zgjat prej 10 javësh ka shkaktuar vdekjen e mbi 18,700 palestinezëve. Rreth 1.9 milion palestinezë – gati 85% e popullsisë së Gazës – janë larguar nga shtëpitë e tyre. Shumica janë grumbulluar në strehime dhe kampe tendash të OKB-së në pjesën jugore të territorit të rrethuar.

Bisedimet për lirimin e pengjeve

Në një shenjë të dukshme se bisedimet për një marrëveshje mbi lirimin e më shumë pengjeve po bëheshin më serioze, drejtori i CIA-s, William Burns, u takua në Varshavë me kreun e agjencisë izraelite të zbulimit, Mossad dhe kryeministrin e Katarit, tha një zyrtar amerikan.

Ky ishte takimi i parë i këtyre tre zyrtarëve që nga përfundimi i një armëpushimi njëjavor në fund të nëntorit, gjatë të cilit rreth 100 pengje, duke përfshirë një numër shtetasish të huaj, u liruan në këmbim të lirimit të rreth 240 palestinezëve, që po vuanin dënime në burgjet e Izraelit.

Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby, tha se bisedimet nuk ishin “në një pikë ku një marrëveshje tjetër është e afërt. Ne po punojmë çdo ditë për këtë çështje.”

Me qëllim të rritjes së trysnisë publike mbi qeverinë izraelite, Hamasi publikoi një video, që tregonte tre pengje të moshuar izraelitë, të ulur me bluza të bardha, duke iu lutur Izraelit që t’i lirojë menjëherë.

Komentet ka të ngjarë të jenë bërë nën presion, por video sinjalizoi se Hamasi dëshiron të kalojë në diskutimet për lirimin e burrave të sëmurë dhe të moshuar. Izraeli ka thënë se dëshiron që së pari të lirohen rreth 19 gra dhe dy fëmijë. Hamasi thotë se në mesin e grave janë edhe ushtarë, për të cilët pritet të kërkojë një çmim më të lartë, të lidhur me lirimin e të burgosurve palestinezë.

Hamasi dhe militantë të tjerë ende mbajnë rreth 129 pengje. Hamasi, që Shtetet e Bashkuara e kanë shpallur organizatë terroriste, ka thënë se asnjë peng tjetër nuk do të lirohet derisa të përfundojë lufta. /VOA

Shija e redaktorit

Osmani bisedon me homologun gjerman, diskuton rëndësinë e anëtarësimit të...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të martën mbrëma ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun gjerman, Frank-Walter Steinmeier. Në një postim në rrjetin social "X",...

Pjesëtarët e FSK-së marrin pjesë në aktivitetin humanitar të dhurimit...

Forca e Sigurisë së Kosovës ka filluar aksionin humanitar për dhurimin vullnetar të gjakut, në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut. Këtij aktiviteti...

“Të gatshëm për zgjedhje”, gjithçka nga takimi ndërmjet Kurtit e...

Një darkë pune u zhvillua të hënën në mes të kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi. Në këtë...

Të fundit nga rubrika