Kongresisti amerikan: Kosova është aleate e ShBA-së, Serbia satelit i Rusisë
Kongresisti amerikan, Ritchie Torres, thotë se SHBA-ja nuk ka aleat më të madh sesa Kosovën në Ballkan. Në një intervistë për Radio Kosovën ai thotë se është shumë pesimist me moslargimin e Serbisë nga ndikimi rus. Torres thotë se Kosova duhet të anëtarësohet në institucione ndërkombëtare. “Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë aleat më […]
Kongresisti amerikan, Ritchie Torres, thotë se SHBA-ja nuk ka aleat më të madh sesa Kosovën në Ballkan.
Në një intervistë për Radio Kosovën ai thotë se është shumë pesimist me moslargimin e Serbisë nga ndikimi rus. Torres thotë se Kosova duhet të anëtarësohet në institucione ndërkombëtare.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë aleat më të madh sesa Kosovën, dhe kjo është në interes të SHBA-së që të mbështesë aleatët e saj, siç është shitja e raketave Javelin. Ju e keni mbështetjen e kongresistëve amerikanë edhe këtu në Uashington dhe për këtë ne përpiqemi t’ju ndihmojmë gjithashtu”, tha ai.
Torres tha se Kosova është një storie suksesi në Ballkanin Perëndimor, kurse Serbia është vend autokrat.
Po ashtu, ai theksoi se Kosova ishte nga vendet e para që pranoi refugjatë nga Ukraina, kurse Rusia është satelit i Rusisë.
“Presidenti Joe Biden ka folur për demokracinë dhe tensionet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë pjesë e kësaj politike. Kosova është një demokraci, një storie demokratike në Ballkanin Perëndimor, ndërsa Serbia është një vend autokrat, përderisa Kosova është një aleate e SHBA-së. Kosova ishte e para që pranoi refugjatë, derisa Serbia është satelit i Rusisë dhe nuk ka vendosur sanksione ndaj saj, por në të kundërtën ka importuar armë nga ajo. Presidenti rus, Vladimir Putin, është figura më e çmuar në Serbi”, tha ai.
Kongresisti amerikan theksoi se Bashkimi Evropian është treguar më i ashpër ndaj Kosovës se ndaj Serbisë.
Sipas tij, Kosova duhet të trajtohet me më shumë respekt.
“Bashkimi Evropian ka qenë më i ashpër ndaj Kosovës sesa ndaj Serbisë. Derisa Kosova është e radhitur në krah të BE-së, Serbia është më afër Rusisë. Sjellja e BE-së është një storie më vete dhe nuk mund ta shpjegoj. Por Kosova duhet të trajtohet me më shumë respekt, sepse është një aleat më i mirë. Serbia ka treguar se përzihet në punë të brendshme të Kosovës duke bashkëpunuar me njerëz që kanë për qëllim destabilizimin e Kosovës”, tha ai.
Torres u shpreh se sanksionet e BE-së ndaj Kosovës janë të padrejta.















