Kongresmeni republikan amerikan Joe Wilson ka kritikuar sërish politikën e presidentit serb Aleksandar Vuçiq, duke e akuzuar regjimin e tij për sjelljen e teknologjisë kineze në Evropë dhe për forcimin e lidhjeve me Pekinin dhe Moskën.
Wilson e bëri deklaratën pas një takimi me ministrin e Punëve të Jashtme të Bullgarisë, me të cilin diskutoi sigurinë energjetike, kërcënimin rus dhe praninë në rritje të Kinës në Evropë.
“Jam mirënjohës për takimin me Ministrin e Punëve të Jashtme të Bullgarisë, një aleat i NATO-s, për të diskutuar sigurinë energjetike, kërcënimin rus dhe praninë e dëmshme, por në rritje, të Partisë Komuniste të Kinës dhe teknologjinë e saj kundër lirisë, të sjellë në Evropë nga regjimi i Vuçiqit”, deklaroi Wilson.
Kjo nuk është hera e parë që kongresmeni amerikan kritikon presidentin serb për politikën e tij ndaj Kinës dhe Rusisë.
Më herët, Wilson kishte reaguar edhe ndaj raportimeve se Serbia mund të organizonte një funeral shtetëror për ish-komandantin e forcave serbe të Bosnjës, Ratko Mlladiq, i dënuar për krime lufte dhe gjenocid.
“Është e paimagjinueshme që Vuçiq planifikon ta varrosë kriminelin e luftës Mlladiq me nderime shtetërore. Është sikur Gjermania t’i japë nderime shtetërore Adolf Hitlerit”, kishte shkruar Wilson.
Wilson gjithashtu ka ndërmarrë hapa në Kongresin amerikan për të kërkuar rritjen e presionit ndaj autoriteteve në Serbi, përmes një projektligji të titulluar “Serbia”.