Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit ka folur mbi zhvillimet e fundit në veri të Kosovës.

Ai ka kritikuar Bashkësinë Ndërkombëtare për mosndëshkimin e saj ndaj Serbisë, duke shtuar se po pajtohen me atë çka Serbia definon termin ”provokim”.

“Nëse nuk ka prag zgjedhor, ana juridike e nënkupton që kryetarët janë të ligjshëm, nëse janë të ligjshëm atëherë ata a duhet të shkojnë në punë dhe a ka të drejtë banda kriminale t’i ndalin ata me dhunë. Nuk po shoh dallim BE-SHBA, kësaj radhë nuk shoh dallim, të gjithë janë të një goje që Serbia e përcakton statusin e asaj se çka është provokim, dhe ndërkombëtarët pajtohen krejt me atë gjë. Serbia ia jep definicionin provokimit, të shkojnë kryetarët e komunave në punë është provokim dhe bashkësia ndërkombëtare pajtohet dhe i thotë Kosovës nuk bën ky provokim. Bashkësia ndërkombëtare gjithmonë ia tregonte vijat e kuqe Serbisë, e tash unë nuk po shoh që ka tash vija të kuqe për Serbinë. Qysh e definon Serbia provokimin, ai është provokim. Serbia e çon ushtrinë, është rrezik, Kosova duhet të zmbrapset”, ka thënë Konjufca.

Ai ka thënë se veprimet e institucioneve të Kosovës janë duke u keqkuptuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kështu ka deklaruar ai, teksa është pyetur lidhur me deklaratën e sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken.

“Jemi duke u keqkuptuar nga SHBA. Duhet të kemi takime më të thella. Sa i përket deklaratës së Blinken, nuk është hera e parë që po ndodh kjo, më kujtohet edhe para 2 viteve kur ishte çështja e reciprocitetit, kur ne e aplikuam me Serbinë dhe morëm një gjuhë të ashpër nga SHBA-të, me një qortim të ashpër. Kjo nuk është e mirë për ne, e pranojmë që është gjë e keqe. Gjithçka që duhet të bëjmë është që ta bëjmë një dialog të hapur dhe të shtruar me të gjithë miqtë dhe partnerët tanë që t’i argumentojmë më mirë pozicionet tona, që ndoshta këto pozicione nuk po kuptohen drejt nga SHBA-ja”.

“Nëse SHBA-të nuk e kuptojnë, ne duhet të ulemi dhe të bisedojmë seriozisht, nëse jemi krejt në rregull kushtetutshmërisht dhe ligjërisht, çka është problemi pra”.

Megjithatë, ai thekson se kjo nuk do të thotë që Kosova duhet ta humbë fokusin nga ajo që duhet të bëjë si shtet.

Sipas tij, kryefjala e situatës nuk është shqetësimi as brengosja megjithëse janë evidente, por “kryefjala është aftësia jonë, kapaciteti jonë për t’i kryer detyrat tona shtetërore edhe policia, edhe institucionet e sigurisë që të garantojmë qetësi dhe siguri në atë pjesë të vendit”.

“Siç po shihet krejt problemi po fillon dhe përfundon me grupet të armatosura të rrezikshme, të paligjshme që e sfidojnë shtetin dhe i sulmojnë zyrtarët policorë. Pozicionet tona janë kështu që kryetarët atje në pjesën e veriut kanë dhënë dorëheqje, të cilat nuk ishin për shkak të dhunës së Kosovës, nuk kemi bërë dhunë ndaj tyre, institucionet mbetën vakante, shteti i Kosovës nuk pat zgjidhje tjetër pos t’i shpallë zgjedhjet. Ne u pajtuam që zgjedhjet u shtynë për 5 muaj, kur u harxhuan 5 muajt, Kosova kishte 2 opsione, ose ta dëgjonte Vuçiqin, ose të procedonte qysh thotë Kushtetuta, dhe zgjedhjet u shpallën, por Lista Serbe nuk morën pjesë, duke mos marrë asnjë qortim serioz”.

Kryeparlamentari Konjufca e ka dënuar sulmin ndaj gazetarëve dhe dhunën e tyre që po përdoret në veri.

“Policia duhet të bëjë të gjitha që t’i mbrojë gazetarët. E dënoj sulmin ndaj gazetarëve, dhunën ndaj tyre që është e paprecedent, dhe i bëj thirrje policisë që të bëjë çmos që ta mbrojë jetën e gazetarëve”, tha ai.