Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka deklaruar se Bashkimi Evropian nuk ka kompetencë të propozojë draftin për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Ai ka shtuar se Kosova nuk duhet të presë një draft të gatshëm për ta dërguar në Gjykatën Kushtetuese.

Mes tjerash, Konjufca ka theksuar se Qeveria e Kosovës është e rezervuar ndaj këtij procesi dhe do të nënshkruajë marrëveshjen me Serbinë vetëm nëse është e sigurt se Serbia do t’i respektojë të gjitha pikat e marrëveshjes.

“BE-ja nuk e ka kompetencë t’i propozojë asociacion Kosovës. Është gabim të mendohet se është kompetencë e BE-së neve veç me na caktu, e kompetencë e jona veç me dërgu në Kushtetuese. Ndoshta, Hovenier e ka pasur fjalën që Kosova ta propozojë një draft… Unë nuk mendoj që është kompetencë e BE-së me i propozu draft Kosovës. Nuk mendoj që Kosova duhet të qëndrojë gatitu dhe veç me çu draftin që BE-ja e propozon”, ka thënë Konjufca.

Konjufca ka thënë se nëse Serbia zgjedh ta zbatojë vetëm atë që i pëlqen nga Marrëveshja e Ohrit, Kosova ka të drejtë ta bëjë të njëjtën gjë.

“Nuk pajtohem me këtë procedurë, nuk shkruan askund, nuk është obligative për Kosovën. Obligative është vetëm marrëveshja e vitit 2013. Jemi në fazë krejt të re. Ne po presim që të nënshkruhet marrëveshja e Ohrit. E marrëveshja është pika e 7 edhe pse nuk përmendet, por mund të kuptohet që ka lidhje me Asociacionin”, ka deklaruar tutje ai pas mbledhjes së Kuvendit të Kryesisë.

Po ashtu, ai ka thënë se marrëveshja është obligative vetëm nëse zbatohet në tërësi, dhe nëse kjo ndodh, atëherë nuk do të ketë probleme.