Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka bërë homazhe te varret e Fehmi e Xhevë Lladrovcit në 25-vjetorin e rënies heroike të tyre.

Kryeparlamentari Konjufca, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se çifti simbol i rezistencës dhe luftës për liri ranë së bashku me shumë luftëtarë të tjerë më 22 shtator të vitit 1998, në qëndresën legjendare në Qyqavicë, të cilët siç thotë ai, u bënë frymëzim për luftën qëndrestare e heroike të UÇK-së.

“Çifti simbol i rezistencës dhe luftës për liri ranë së bashku me shumë luftëtarë të tjerë më 22 shtator të vitit 1998, në qëndresën legjendare në Qyqavicë. Ata u bënë frymëzim për luftën qëndrestare e heroike të UÇK-së. Brigada 114 e UÇK-së që drejtohej nga Fehmi Lladrovci, mori një emblemë shtesë, emblemën e komandatit të saj”, ka shkruar Konjufca.

Konjufca ka theksuar tutje se aktiviteti i Xhevë dhe Fehmi Lladrovcit para e gjatë luftës për liri, ashtu si dhe rënia e tyre në front, shënon idealet më të larta të popullit shqiptar në Kosovë.

Çifti Fehmi e Xhevë Lladrovci ishin ndër figurat më emblematike të organizimit dhe luftës për liri në Kosovë, të cilët ranë më 22 shtator të vitit 1998, në një betejë të vështirë e të pabarabartë me forcat serbe, pas një qëndrese heroike të Fehmiut, Xhevës dhe luftëtarëve tjerë të UÇK-së në fortesat e ngritura në Qyqavicë.

Bashkë me ta ra edhe studentja Fatime Hetemi dhe shumë dëshmorë të tjerë.

Fehmi Lladrovci ishte komandant i Brigadës 114 të UÇK-së, emrin e të cilit do ta mbajë kjo brigadë, ndërkaq në sheshin e Drenasit janë vendosur shtatoret e dëshmorëve Fehmi dhe Xhevë Lladrovci.