Zëvendëskryeministri i Kosovës, Glauk Konjufca, ka kritikuar ministrin e Jashtëm të Serbisë, Marko Gjuriq, për takimet dhe fotografitë e përbashkëta me Milan Radoiçiqin, të cilin e ka cilësuar si përgjegjësin kryesor për sulmin në Banjskë dhe person të kërkuar nga INTERPOL-i.
Gjatë fjalimit të tij në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Konjufca ka thënë se qëndrimi i Gjuriqit ndaj Radoiçiqit bie ndesh me deklarimet e tij për të ardhmen evropiane të Serbisë.
“Kur flasim për të ardhmen, të ardhmen evropiane me të cilën ministri Gjuriq shprehet aq i obsesionuar. T’i japë një këshillë të mos takohet me Radoiçiqin. Fotografitë e tij bashkë me Radoiçiqin nuk e di se çfarë përmbajnë bisedat mes atyre dyve. Por ai është person që kërkohet nga INTERPOL-i. E kur e shohim ministrin e shtetit kandidat që kërkon të integrohet në BE që takohet me kriminelë të tillë të kërkuar nga INTERPOL-i, nuk e di se për çfarë integrimi evropian apo çfarë të ardhme po flasim këtu”, ka deklaruar Konjufca.
Konjufca i është kundërpërgjigjur Gjuriqit edhe lidhur me përmendjen e disa incidenteve fetare në Kosovë, duke theksuar se vendi karakterizohet nga diversiteti dhe harmonia ndërfetare.
Ai ka përmendur zgjedhjen e presidentes Justina Shiroka-Pula, të cilës iu referua si presidente e besimit katolik, si shembull të karakterit shumëetnik të Kosovës.
“Kosova është shtet shumë etnik, harmonia fetare ka qenë një nga tiparet më të theksuara të popullit tim. Si mund të jemi shtet ekstremist në aspektin fetar kur ne rishtazi kemi zgjedhur një presidente që vjen nga feja katolike”, ka thënë Konjufca.
Më tej, ai ka përmendur Masakrën e Mejës, ku sipas tij, shumica e viktimave ishin shqiptarë të besimit katolik, duke e përdorur këtë rast për të kundërshtuar pretendimet e Serbisë për mbrojtjen e krishterimit.
“Serbia është e njohur për shfrytëzimin e kishës për ndarje etnike, fabrikojnë incidente për të ruajtur marrëdhëniet e këqija ndëretnike, e ka bërë këtë edhe në vitet ’90-ta dhe vazhdon ta bëjë edhe sot”, ka deklaruar ai.
Duke folur për krimet e luftës në Kosovë, Konjufca ka thënë se gjatë vitit 1999, një numër i madh i civilëve shqiptarë të besimit katolik u vranë nga forcat serbe.
“Masakra jonë më e madhe në vitin 1999 ishte masakra e Mejës, e kemi quajtur Srebrenica jonë sepse është masakra më e madhe nga të gjithat. Aty u vranë 377 persona, shumica nga ta popullatë katolike me fe. Kjo është kur flasim se sa Serbia e mbron krishterizmin në botë. Ky është vazhdim i luftës hibride përmes nxitjes së incidenteve të rrejshme fetare”, ka thënë Konjufca.