Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë Kosova nuk ka cfarë të kërkojë në dialog me Serbinë, nëse zgjidhja apo marrëveshja potenciale nuk e ka bazë Kushtetutën e Kosovës.

Sipas tij, zgjidhja e vetme është nëse respektohet Kushtetuta, përndryshe Kosova nuk ka interesa ta vazhdojë dialogun me Serinë.

“Nuk ka logjikë që të nisemi para një pozicioni antikushteutes dhe të mbërrijmë te kushtetuta. Ashtu nuk mundesh të mbërrish asnjëherë. Pikënisja duhet të jetë Kushtetuta, bile mendoj që nëse faktorët ndërkombëtarë, nëse BE nuk mendon që zgjidhja duhet të jetë brenda kushtetutës së Kosovës, unë mendoj që Kosova nuk ka çfarë të kërkojë në atë dialog më. Kurrfarë interesi nuk ka Kosova nuk ka në atë dialog, çfarë interesi kemi të shkatërrojmë Kushtetutën”, ka thënë ai.

Konjufca më tej tha se korniza aktuale e dialogut është trashëguar nga Qeveritë e kaluara të Kosovës, teksa e përmendi edhe ekipin menaxhues për Asociaiconin, të cilët sipas tij, kanë vepruar në mënyrë antikushtetuese.

“Kosova, fatkeqësisht e ka trashëguar një vendimmarrje të Qeverive të kaluara, lidhur me këtë kornizë të dialogut që është caktimi i personave të ekipit menaxhues, nga një zv kryeministër i cili i përgjigjet vetëm Vuciqit, e që është z. Rakiq. Rakiq e ka përzgjedhur anëtarët e ekipit menaxhues e i ka vendosur aty, ai është kujdes që ata të jenë të përgjegjshëm për Serbinë. Kjo është një shkelje e kushtetutës dhe e betimit të deputetit. Kur e bëjmë betimin, ne betohemi që do t’i shërbejmë vetëm interesave të Kosovës dhe kushtetutshmërisë së saj. Çdo kush që e shkel këtë betim dhe bën veprime që janë në kundërshtim me këtë betim, unë mendoj që Kosova nuk ka më kurrfarë obligime ndaj tyre”, ka thënë ai.

Sipas tij, ekipi menaxhues që u shkarkua nga Qeveria e Kosovës, nën urdhrat e Serbisë është përpjekur ta krijojë një “Republikë Srpska”, brenda Kosovës.