Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, në nder të 25-vjetorit të Çlirimit të Kosovës, në fjalën e tij është shprehur se 12 qershori i vitit 1999 është dita që u rikthye shpresa për popullin shqiptar të Kosovës.

“Pas gati një shekulli në sundimin serb, Kosova u çlirua, të shumta janë padrejtësitë, diskriminimet, keqtrajtimet, burgosjet e krimet që u ushtruan mbi popullin shqiptar nga regjimet okupuese të Serbisë, të panumërta janë viktimat shqiptare të këtyre regjimeve që u mbështetën në programet sistematike historike e politike të shtetit serb që e kishin një synim e kjo ishte shfarosja e një populli të tërë nga territori dhe përmes krimeve të llahtarshme,” u shpreh Konjufca.

Për krimet serbe, Konjufca tha se ato morën masën e gjenocidit.

“Këto krime të Serbisë e morën masën e gjenocidit. Për ne, Serbia mbeti e njëjtë, pavarësisht a u quajt dikur mbretëri jugosllave a pastaj jugosllavi federative asocialiste, politika e shtypjes e dëbimit shpronësimeve, diskriminimit ka qenë tipari konstant i secilit prej këtyre regjimeve.”

Teksa shton se kur kremtohet 12 qershori dita e Çlirimit të Kosovës, është domosdoshmëri etike që të reflektohet mbi historinë, se ajo për popullin tonë ka qenë e vështirë vërtët.

“Ta kujtojmë të shkuarën e të mos e harrojmë të vërtëtën, nuk do të thotë të mos e duam paqen dhe pajtimin, por për ne gjithmonë e shohim pajtimin vetë si rezultat të drejtësisë,” Konjufca.

“Ne kujtojmë dhe do të kujtojmë gjithmonë sepse duam që padrejtësia dhe pushtimi të mos përsëriten kurrë më. Lufta e UCK-së në krye me komandantin Adem Jashari do të mbetet kapitulli më I lavdishëm I historisë sonë të re, populli ynë edhe pse I dërmuar nga pushtimi i gjatë e I egër, arriti që nga gjiri i vet t’i jepte atdheut djemtë dhe vajzat më të mira, gjaku i të cilëve është gurthemel I lirisë dhe pavarësisë sonë,” ka thënë Konjufca.