Mandatari për kryeministër nga radhët e Vetëvendosjes, Glauk Konjufca nuk ka treguar se kur do të thirret seanca në të cilën do të votohet ai për kryeministër.
Megjithatë, Konjufca tregoi se nëse do të bëhet ai kryeministër në qeverinë në ardhje apo zgjedhje të reja, atëherë varet vetëm nga partitë opozitare.
“Nuk e di saktësisht, me probabilitet e përqindje, sa i kam gjasat të bëhem kryeministër, por mendoj se Kosova do ta ketë një qeveri. Megjithatë, në fund të fundit, mendoj se kjo nuk varet krejtësisht nga Lëvizja Vetëvendosje. Kësaj radhe, zgjedhjen nëse do të kemi një qeveri të re apo do të shkojmë në zgjedhje, e kanë në dorë partitë që ne i quajmë opozitare. Është zgjedhja e tyre”, deklaroi Konjufca pasi hodhi votën e tij për kryetar të Komunës së Prishtinës në zgjedhjet lokale.
Ai e ka theksuar se e ka kabinetin të cilin do ta propozojë në seancën që do të thirret për votimin e tij.
“Ne e kemi në dorë për ta propozuar qeverinë, mandatarin e dytë, dhe në këtë rast unë u propozova nga kryeministri Kurti. Presidentja më mandatoi, dhe kabineti im do të dalë në seancë kur ne ta vendosim. Pastaj, nëse do të votohemi apo jo, këtë e kanë në dorë deputetët e partive të tjera”, tha Konjufca./EO.