Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të shkrimtarit të njohur Ismail Kadare.

Konjufca ka thënë se letërsia shqipe humbi një nga kolosët e saj më të veçantë, ndërsa kultura shqiptare mbeti pa ambasadorin e vet më të shquar.

“Vepra e Ismail Kadaresë, përveç vlerave letrare e artistike të nivelit botëror, për ç’gjë u përkthye, u lexua e u nderua anë e kënd botës, ajo do të mbetet enciklopedia më e plotë e shpirtit, etnosit dhe identitetit shqiptar. Kadare ishte jo veç krijuesi i veprave monumentale në letërsinë tonë, por edhe qëmtuesi dhe kultivuesi më pasionant i gjuhës shqipe”, ka shkruar Konjufca në rrjetin social Facebook.

Kryeparlamentari ka shtuar se si trasues i traditës së rilindasve, Kadare ishte një flamurtar i palëkundshëm i shqiptarizmës në prozën, poezinë dhe eseistiken e tij.

Konjufca ka theksuar se Kadare do të mbetet mbrojtësi më i madh i identitetit evropian të shqiptarëve.