Konjufca për masakrën e Mejës: Dëshmia më e pakontestueshme e gjenocidit serb mbi popullin e Kosovës

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, pas homazheve në Mejë të Gjakovës ka kërkuar që drejtësia të vihet në vend

Kryeparlamentari Glauk Konjufca

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, në Ditën e të Pagjeturve, pas homazheve në Mejë ka thënë se masakra e kryer në këtë vend është dëshmia më e pakontestueshme e gjenocidit që e ka bërë pushutuesi serb mbi popullatën e Kosovës.

Sipas tij, plaga është ende e hapur ngase, siç theksoi Konjufca, për këtë masakër dhe të gjitha të tjerat nuk është vënë ende drejtësia në vend.

“Kjo masakër më së miri tregon se okupatori serb i vrau të gjithë qytetarët e Kosovës pa dallim, nëse ata ishin burra, gra, fëmijë, të fesë myslimane apo të krishterë”, është shprehur ai.

“Në Mejë mund ta gjeni të gjithë popullin e Kosovës të masakruar, dhe për këtë arsye kjo është një nga plagët më të mëdha të popullit që e përjetoi gjenocidin e Serbisë, fatkeqësia është se kjo plagë është ende e hapur, për shkak se jo vetëm për këtë masakër por për të gjitha të tjerat në Kosovë ende nuk ka drejtësi”.

No description available.

Kryeparlamentari Konjufca është shprehur pesimist për hapjen e territorit të Serbisë lidhur me kërkimet dhe gjetjet e personave të zhdukur me dhunë.

“Duhet të bëhemi bashkë edhe me familjarët që të bëjmë gjithçka që është e mundur, që t’i bëhet trysni Serbisë, meqë, ashtu si po e shoh unë, nuk kam fare shpresë që Serbia do ta hapë territorin e saj për hulumtimin dhe gjetjen e personave të zhdukur me dhunë”, shtoi ai.

Konjufca ka theksuar se përgjegjësi i vetëm që familjarët ende vuajnë, jetojnë me ankth dhe pritja e tyre është bërë e përditshme, është Serbia.

“Janë mijëra familje që i presin më të dashurit të tyre, nuk e dinë se ku janë ata, nuk është hedhur kurrë dritë mbi fatin e tyre, por një gjë dihet saktë, që ata i mori shteti i Serbisë, që Serbia është përgjegjëse dhe kushdo që e kërkon përgjegjësinë, dhe jo vetëm për atë që ka ndodhur, por edhe trupat e tyre fizikisht ku ndodhen, kjo është Serbia dhe territori i saj”, ka potencuar ai.

Gjatë homazheve në Mejë të Gjakovës, Konjufca ishte i shoqëruar nga ministrja e Punëve të jashtme, Donika Gërvalla, Kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur, Andin Hoti, deputetë e ministra të kabinetit qeveritar.

Ndryshe, Andin Hoti ka thënë se gjatë ditëve në vijim pritet që në Serbi të nisin gërmimet në një lokacion të dyshuar për varrezë masive.

Sipas tij, kërkesë urgjente e Kosovës mbesin imazhet satelitore, me anë të të cilave do të arrihej zbardhja e fatit të personave të zhdukur.

“Këto ditë delegacioni i Kosovës, në Serbi do të fillojnë gërmimet edhe në një lokacion të radhës. Kemi pritur dhe vazhdojmë me urgjencë t’i kërkojmë imazhet satelitore sepse kemi pasur disa informacione për lokacione të ndryshme në Serbi”.

Të mërkurën e 27 prillit, në Kosovë po shënohet Dita e të Pagjeturve, ndërkaq fati i më shumë se një mijë e 600 personave të zhdukur me dhunë nga Serbia gjatë luftës në Kosovë ende nuk dihet.

Po ashtu, më 27 prill po shënohet edhe përvjetori i 23-të i masakrës së Mejës në Gjakovë, ku në vitin 1999, 376 persona u vranë e u masakruan nga forcat serbe në mënyrë mizore.

Ndryshe, 23 vjet më parë, brenda pak orësh është kryer ekzekutimi dhe një ndër masakrat më të mëdha në Kosovë.

Forcat serbe kishin rrethuar Rekën e Keqe dhe Lugun e Carragojës në rrethinën e Gjakovës, ku vetëm dy rrugë në drejtim të Mejës ishin lënë të hapura.

Serbia, Kosovo Must Commit to Credible Missing Persons Investigations | Balkan Insight

Në rreth 15 fshatra të Gjakovës kishte filluar ekzekutimi i të gjithë djemve dhe burrave, shtëpi për shtëpi.

Disa nga mbetjet mortore të viktimave janë gjetur në varreza masive nëpër Kosovë, kurse të tjerët ka informacion se janë ende diku nëpër Serbi.

Në këtë ngjarje ishin masakruar 36 djem nën moshën 18 vjeç.

Provat e Tribunalit të Hagës tregojnë se më shumë se 30 oficerë dhe trupa serbe “ishin të përfshirë ose dinin rreth” masakrës së Mejës dhe “nuk bënë asgjë për ta ndaluar atë ose për të ndëshkuar ata që kryen krime”.

Përkundër kërkesave të familjarëve dhe organizatave të ndryshme në Kosovë që trupat e tyre të kthehen nga Serbia, kjo gjë është zvarritur nga shteti serb dhe ende nuk është bërë.

Shija e redaktorit

Vetëm në muajin shkurt mërgata ka dërguar 87.9 milionë euro

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, sipas kalendarit të publikimeve, ka prezantuar statistikat për institucionet e tjera financiare për muajin shkurt 2024, të remitancave...

Ndahen 8 milionë euro për 11 komuna

Ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal(MAPL), Elbert Krasniqi, ka njoftuar se janë ndarë 8 milionë euro në 11 Komuna. Ministri Krasniqi, bashkë me kryetarët e...

Kosova një hap më afër anëtarësimit në Këshill të Evropës

Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Evropës ka miratuar raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, ku rekomandohet që shteti ka përmbushur...

Të fundit nga rubrika