Bazuar në deklaratat e ministrit për Komunitete, Nenad Rashiq, Banka Qendrore e Kosovës gjatë së enjtes ka pasur në plan ta kontaktojë Bankën Qendrore në Serbi për t’i ofruar dy zgjidhje si mundësi për çështjen e përdorimi të dinarit.

Nga BQK as dje e as sot nuk kanë treguar nëse kanë komunikuar me bankën homologe në Beograd.

Çfarëdo zhvillime që mund të ketë në këtë aspekt, qëndrimet politike në Kosovë nuk kanë ndryshuar.

“Dinari ka qenë instrument të cilin dikush e ka sjell fizikisht prej Beogradit, me kombi dhe aty disa zyrtarë të Vuciqit përmes Listës Serbe, kanë ardhur te shtëpia t’i kanë dhënë paret, të kanë këqyrë pak mrrolshëm dhe e kanë kërkuar lojalitetin tënd për Listën Serbe”, ka thënë Glauk Konjufca, Kryetar i Kuvendit.

Konjufca insiston se përdorimi i dinarit ka qenë ilegal gjithmonë dhe për gjëra ilegale nuk ka nevojë për negociata me askënd, sepse sipas tij, janë veprime të drejta dhe të domosdoshme.

“Te dinari unë nuk mendoj se kata të bëjë shumë me shqetësimin e Serbisë sa i përket mbetjes pa pensione apo të ardhura për serbët e Kosovës, çështja më shumë ka të bëjë me keshin me paratë kesh që vijnë në Kosovë, pa kurrfar përgjegjësie pa kurrfar regjistri, kerkush nuk e din ku shkojnë saktë”, ka shtuar Glauk Konjufca, Kryetar i Kuvendit.

Për qytetarët që punojnë dhe jetojnë në pjesën veriore të Kosovës, rregullorja e re deri më tani vlerësohet se nuk ka ndikuar negativisht.

“Jo, jo nuk sjell problem arsya është që në veri qarkullon normal edhe euro, por institucionet tona tash e 24 vjet i kanë lejuar që dinari të funksionojë dhe të vijë…Është humë herët njëherë për me thanë që ka mungesë, nuk kam vërejtur që ka munugesë”, ka thënë Betim Osmani, Iniciativa qytetare “Mitrovica”.

Gjatë së mërkurës në kufirin me Kosovën nuk është lejuar të hyjë njё kamion me para në vlerë të 117 milionë dinarëve, dërgesë pas së cilës sipas autoriteteve të Kosovës, qëndron Banka Qendrore e Serbisë.