Zëvendëskryeministri i Parë dhe ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka pritur në takim zëvendësministrin e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Italisë, Edmondo Cirielli.
Sipas njoftimit të MPJD-së, gjatë takimit u diskutua për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Italisë, procesin e integrimit evropian të Kosovës dhe aspiratat për anëtarësim në NATO, si dhe për zhvillimet e fundit politike në vend, përfshirë procesin e formimit të qeverisë së re, njofton Dukagjini.
Një pjesë e rëndësishme e bisedës iu kushtua bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy shteteve teksa bashkë theksuan nevojën për intensifikimin e shkëmbimeve tregtare, rritjen e bashkëpunimit ekonomik dhe zhvillimin e projekteve të përbashkëta që do të forconin më tej partneritetin mes Kosovës dhe Italisë.
Konjufca shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme që Italia i ka dhënë Kosovës në proceset e shtetndërtimit, duke e cilësuar Italinë si një nga partnerët më të rëndësishëm ndërkombëtarë të vendit.
Sipas MPJD-së, takimi u zhvillua në frymë miqësore dhe konstruktive, ndërsa u ritheksua përkushtimi i Kosovës për thellimin e bashkëpunimit me Italinë në të gjitha fushat me interes të përbashkët.