Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se ndan mendim të njëjtë me opozitën për ta dërguar vendin në zgjedhje, veçse kërkon dakordim me partitë politike për ta gjetur kohën e përshtatshme.

Pas mbledhjes së Kryesisë, kreu i Kuvendit ka thënë se kërkesë specifike nga partitë politike nuk ka pasur por që nuk e përjashton mundësinë për një gjë të tillë.

Ai ka theksuar se kohën për ta dërguar vendin në zgjedhje, duhet dakordim me partitë politike.

“Sot e patëm mbledhjen e Kryesisë e përfunduam mbledhjen e kryesisë nuk pashë asgjë nga këto kërkesa por nuk e përjashtoj që në të ardhmen ndonjë grup parlamentar mund të filloj mbledhjen e nënshkrimeve. Ju e dini që unë moti jam për zgjedhje, kam thënë që opsioni më i mirë është të shkohet në zgjedhje, të gjithë po thonë se është sivjet por ky vit i ka edhe disa muaj”, është shprehur ai.

“Nuk mund të ju them saktë se cila është koha më e mirë për të shkuar në zgjedhje, mirëpo e keni dëgjuar edhe kryeministrin që ka thënë se do të ishte në mbështetje të një iniciative të opozitës sa i përket shkuarjes në zgjedhje. Vetëm duhet të ulemi me partitë politike dhe ta specifikojmë se cila është koha më e përshtatshme a është vera apo vjeshta”, ka thënë tutje Konjufca.

Më 21 mars, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka ofruar opozitës në Kuvend ndihmën e partisë së tij për t’i bërë numrat që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

Për këtë, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, i ka bërë sërish thirrje kryeministrit Kurti për shpërndarjen e Kuvendit dhe organizimin e zgjedhjeve të parakohshme.

Krasniqi ka konfirmuar se nënshkrimet e PDK-së që janë gati për shpërndarjen e Kuvendit.

Ai ka ftuar kryeministrin Kurti që të organizojë zgjedhje të parakohshme, duke thënë se “nëse ka guxim dhe ndjen të paktën pjesë të ndërgjegjes për gjendjen e rëndë në të cilën ndodhet vendi”.