Konkursi për gradimin e policëve – “Të fortët” e Policisë e shpërndajnë testin e grupit A para kohe

Në një konkurs për gradim të policëve në Policinë e Kosovës, ka pasur dyshime për favorizime dhe parregullsi. Testet për kandidatët u shpërndanë më herët për disa “të preferuar” mëson Dukagjini, dhe rezultatet e testeve të këtyre individëve ishin dukshëm më të larta. Shumica e të favorizuarve ishin nga gjenerata e 54-të e Policisë dhe grupe të tjera të lidhura me zyrtarë të lartë

Konkursi për gradim të policëve nga “Polic i lartë” në “Rreshter” u mbajt më 4 maj, dhe siç nënkuptohet edhe atë ditë do të duhej të shpërndaheshin testet për policët kandidatë.

Por dhënia e testit kishte ndodhur më herët për të “preferuarit”. Siç ka mësuar Dukagjini, njerëz me ndikim nga institucionet publike e politike, gjegjësisht, brenda Policisë së Kosovës, kanë bërë që të rrjedhë testi i grupit A, i këtij testimi.

Dukagjini raportoi ekskluzivisht para se të testoheshin kandidatët se dyshohet se u favorizuan familjarë e të preferuar:  Konkursi për gradimin e policëve dyshohet për favorizime të familjarëve të eprorëve

Kjo mund të vërehet në rezultatet e testeve të grupit A, të cilat janë dukshëm më të larta në pikë e në numër, kështu kur të bëhet numërimi i të gjitha testeve ka debalancim në mes të dy grupeve, pasi ato duhet të jenë të barabarta (sa teste A, aq edhe B duhet të jenë).

Si ndodhi kjo?

Kandidatët policë, sapo kanë hyrë në sallën e testimit, kanë marrë fletët kompjuterike në të cilat është dashur t’i plotësojnë opsionet e sakta nga testi/pyetësori (ku i kanë lexuar pyetjet), që u është dorëzuar pasi janë ulur në vendet e tyre nga mbikëqyrësi.

Hilja qëndron këtu; fletët kompjuterike që kanë marrë nuk e kanë të shënuar grupin (A ose B, ndonëse testet/pyetësorët kanë qenë të ndara dhe shënuara në dy grupe), por ato janë shënuar nga vetët kandidatët. Dhe kandidatët e favorizuar (të cilëve u është dhënë më herët testi A) në fletët e kompjuterike e kanë shkruar se janë në grupin A, nëse testi i tyre ka qenë B, pasi tashmë, ata vetëm se i dinin përgjigjet e grupit A.

Kush janë të favorizuarit:

Shumica e të favorizuarve janë nga gjenerata e 54-të e Policisë – që është lejuar që të aplikojë në kundërshtim me rregullat siç raportoi ekskluzivisht Dukagjini – të cilët janë të favorizuar për t’u graduar nga familjarët dhe njerëzit me ndikim brenda Policisë dhe politikës.

Gjithashtu, u favorizuan edhe zyrtarë dhe njësi të caktuara policore, që u shërbejnë individëve me ndikim brenda organeve të sigurisë dhe të politikës.

E, nga gjenerata e 54-të, mbi 100 kandidatë morën pikët maksimale në këtë testim.

Gjenerata e 54-të në kundërshtim me rregullat:

Siç u cek më lart, gjenerata e 54-të e Policisë, përveç se u favorizuan, iu dha testi A para kohe, dhe kështu morën mbi 100 prej tyre mbi 90 pikë, ata në këtë konkurs u lejuan që të aplikojnë në kundërshtim me rregullat.

Zyrtarët e kësaj gjenerate ende nuk i kanë bërë dy vjet në detyrë me gradën “Polic i lartë”, gjë që është në kundërshtim me “Udhëzimin administrativ për procedurën e gradimit për zyrtarët policorë”.

Neni 13 i këtij udhëzimi thotë se “Polici i lartë kërkohet të ketë minimumin e qëndrimit në gradë dy vite, i diplomuar në shkollën e mesme dhe ndaj të cilit mos të jetë shqiptuar ndonjë masë disiplinore për shkelje të rënda disiplinore apo vepër penale”, në mënyrë që t’i mundësohet gradimi.

Rreth 400 zyrtarë të kësaj gjenerate, ndonëse nuk e kanë plotësuar këtë kusht, kanë marrë pjesë në testim, dhe për këtë Dukagjini posedon fakte.

E aplikimin në kundërshtim me rregullat dhe kriteret e vetë këtij konkursi të gjeneratës së 54-t i ka komentuar edhe drejtori i përgjithshëm, Gazmend Hoxha, duke thënë se gjenerata e 54-t ka qenë e diskriminuar, për shkak të një trajnimi të zgjatur në Akademinë e Policisë.

“Gjenerata e 54-t është e vetmja gjeneratë, që ka qenë e diskriminuar në njëfarë mënyre, sepse trajnimi i tyre bazik në Akademi në vend që të zgjasë tre muaj sa zgjasë sot apo sikur dikur që ka zgjatur gjashtë muaj, kjo gjeneratë ka qenë e diskriminuar, sepse ka zgjatur nëntë muaj. Si pasojë  e këtij trajnimi të zgjatur, kjo gjeneratë e ka mbërri kohëzgjatjen prej pesë viteve në Policinë e Kosovës si përvojë pune… Qëllimi nuk është favorizimi, por që kjo gjeneratë të mos diskriminohet për shkak se nuk ka qenë përgjegjësi e tyre”, ka deklaruar Hoxha në mbledhjen e Komisionit për Siguri.

Dyshimet për favorizime dhe aplikimin në kundërshtim me rregullat të gjeneratës së 54-t Inspektorati Policor i Kosovës, në fillim të muajit i ka konfirmuar për Dukagjinin se po verifikon informacionet për të cilat raportoi më 27 prill.

“Duke iu referuar kërkesës suaj, ju informojmë se IPK deri më tani nuk ka hapur ndonjë rast për çështjen në fjalë, mirëpo do të verifikoj informatat në dispozicion dhe varësisht nga të gjeturat do të procedoj sipas kompetencave të saja”, kishin thënë nga IPK-ja, në fillim të majit.

Kështu, gjatë ditës, Dukagjini ka dërguar përsëri pyetje në adresë të IPK-së, nëse të njëjtit kanë marrë ndonjë veprim konkret me këtë rast dhe nëse janë të dijeni të rrjedhjes së testit A.

Por, deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.

Gjithashtu, bazuar në informacionet që posedon Dukagjini, ka pasur parregullsi edhe gjatë procesit të testimit, pasi në disa salla në regjione të caktuara është lejuar kopjim masiv.

Dukagjini do t’ju mbajë të informuar në lidhje me zhvillimet e këtij konkursi.

Shija e redaktorit

Spanja kampione e Evropës për herë të katërt

Ka mbaruar super ndeshja mes Spanjës dhe Anglisë në kuadër të finales së Kampionatit Evropian 2024. Pas një loje fantastike, Spanja ka përmbyllur ndeshjen me...

Spanja në finale, mposht Francën

Kombëtarja e Spanjës ka arritur kualifikimin në finale të Euro 2024, pasi mposhti me rezultat 2:1 kombëtaren e Francës në gjysmëfinale. Në pjesën e dytë...

Ballkani triumfon në ndeshjen e parë kualifikuese në Ligën e...

Ballkani ka fituar 2-1 ndaj Santa Coloman në 1/8 e fazës kualifikuese në Ligën e Kampionëve. Ndeshja nisi me një ritëm të qetë, por që...

Të fundit nga rubrika