Konstituimi i Kuvendit: 17 dështime çdo 48 orë, LVV-ja propozoi vazhdime çdo javë
Propozimi i kryesuesit të seancës, bazuar në kriterin e moshës, Avni Dehari, që vazhdimet e seancave të mbahen çdo javë e jo çdo dy ditë, ishte e vetmja risi në një tjetër dështim për konstituimin e legjislaturës së re të Kuvendit. Në fillim të vazhdimit të ri të seancës që nisi më 15 prill, para […]
Propozimi i kryesuesit të seancës, bazuar në kriterin e moshës, Avni Dehari, që vazhdimet e seancave të mbahen çdo javë e jo çdo dy ditë, ishte e vetmja risi në një tjetër dështim për konstituimin e legjislaturës së re të Kuvendit.
Në fillim të vazhdimit të ri të seancës që nisi më 15 prill, para hedhjes në votim të propozim-komisionit për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit me votim të fshehtë, Dehari kërkoi konsultime me përfaqësuesit e partive politike.
Sidoqoftë, votimi dështoi sërish – në mungesë kuorumi – pasi nga 99 deputetë në sallë, dorën e ngritën vetëm 54 prej tyre: 53 për dhe 1 kundër.
Pasi tha se shteti është jofunksional dhe vonesat në krijimin e institucioneve të reja janë të dëmshme, kreu i PDK-së Memli Krasniqi theksoi se është i vetëdijshëm që delegimi i çështjes në Gjykatën Kushtetuese mund të marrë kohë – andaj kërkoi reflektim nga partia e parë.
“Është krejtësisht e papranueshme të bëhet një kërkesë e tillë për të shkelur rregulloren me vetëdije deputetët e Republikës së Kosovës. Dhe, e dyta, kjo tregon që vullnet i tyre nuk është në asnjë mënyrë me tentua me bë zgjidhje apo me lëvizë përpara, por thjeshtë këto repriza, këto përsëritje mos me u mbajtë çdo dy ditë, por çdo javë. Vërtetë është për keqardhje kjo mungesë totale e përgjegjësisë”, deklaroi Memli Krasniqi, Kryetar i PDK-së.
Pasi e cilësoi fatkeqësi, faktin që për të 17-tën herë nuk u konstituua Kuvendi, deputetja e LDK-së Hykemte Bajrami tha se meqë takimi me presidenten nuk prodhoi rezultat “është tërësisht në dorën e partisë së parë që të lëvizë”.
“Ne këtë e shohim indikacion shtesë që Lëvizja Vetëvendosje, nuk është absolutisht e interesuar që ta bëj konsitutimin e Kuvendit. Ata, mungesën e institucioneve të Kuvendit dhe Qeverisë e kanë reduktuar në problem të mbledhjes së deputetëve, çdo 48 orë. Vetëm kjo është problemi i tyre”, deklaroi Hykmete Bajrami, Deputete e LDK-së.
Me qëndrim të pandryshuar, duke refuzuar ta quaj shkelje, deputetja e LV-së Mimoza Kusari-Lila tha se kryesuesi Dehari propozoi shmangie të rregullores.
“Dëgjuam deklarata në të cilat u akuzuam edhe njëherë për shkelje, përkundrejt se ai ishte një propozim me dakordim, i cili nuk u mbështet dhe nuk u realizua. Rrjedhimisht nuk ka asgjë që mund të quhet ose deklarohet si shkelje, përveçse një përpjekje për ta kthyer në paksa në një orar tjetër këto takime”, tha Mimoza Kusari-Lila, Deputete e LVV-së.
Deputetët e AAK-së, me nismën e të cilëve Gjykatës Kushtetuese i është kërkuar interpretim për përpjekjet për ndërrimin e formës së votimit, të shtunën nuk morën pjesë në seancë.
Përpjekja e shtatëmbëdhjetë për konstituim, që nisi me më shumë se 40 minuta vonesë, zgjati gjithsej tetë minuta – përfshirë konsultimet, votimin dhe minutën e heshtjes në nderim të figurës së profesor Ukshin Hotit, në 26-vjetorin e zhdukjes së tij.
Për këtë të fundit, nuk u ngritën në këmbë deputetët e Listës Serbe.















