Në këtë rrugë që lidhë qendrën e Komunës së Suharekës me autostrade kalojnë mbi 13 mijë vetura çdo ditë.

Ajo është në ndërtim e sipër por operatori ka mundësi që të mbetet pa pagesë.

Kjo sepse sipas Komunës së Suharekës, Thesari i Republikës së Kosovës ia ka bllokuar atyre llogarinë bankare dhe tashmë nuk kanë qasje në financa.

Kryetari i kësaj komune, Bali Muharremaj po thotë se kanë mbetur shumë pagesa pa u proceduar për shkak të kësaj bllokade.

“Kjo po më duket e palogjikshme pasi që unë nuk kam nënshkruar kontratë kolektive, unë i zbatoj ligjet që janë në fuqi dhe ato cka ka nënshkruar komuna e Suharekës. Duhet të na kuptojnë që buxheti për këtë vit ka kalu me 30 shtator. Është bërë planifikimi, kemi hyrë në obligime ndaj operatorëve ekonomik, është fundi i vitit dhe ne e kemi obligim ti përfundojmë ato”, deklaroi Muharremaj.

Gishti po i drejtohet Thesarit të Shtetit që funksionon në kuadër të Ministrisë së Financave por një gjë e tillë është mohuar nga Ministri i Financave, Hekuran Murati i cili tha që llogaritë bllokohen nga përmbaruesit dhe vendimet e prera gjyqësore.

Por, nga Asociacioni i Komunave të Kosovës po thonë se përgjegjësia për këtë bllokadë i takon vetëm nivelit qendror.

“Të gjitha këto bllokime të llogarive bankare të komunave të Kosovës vijnë si pasoj e kontratave kolektive dhe zbatimit të këtyre kontratave që po shkon në kurriz të komunave. Neve kemi kërkuar që barra financiare për zbatimin e këtyre kontratave ta merr niveli qendror se ata janë nënshkruesit dhe kanë qenë nënshkrues të kontratave”, tha Sazan Ibrahimi nga AKK.

Kontrata kolektive parasheh disa përfitime financiare për punonjësit e disa sektorëve publik, nga pagesa për shujtat ushqimore apo për shpenzimet e udhëtimit deri te paga shtesë pas pensionimit.