Drejtori i Komisionit Evropian për Fqinjësi, Gert Jan Kopman, ka theksuar se ideja e “planit për rritje” e Bashkimit Evropian do të ndikojë pozitivisht në përshpejtimin e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në bllok.

Në tryezën në Shkup, në kuadër të konferencës, “Plani i Rritjes së Ballkanit Perëndimor dhe Integrimi më i Shpejtë në BE”, Kopman ka deklaruar se është i inkurajuar me entuziazmin.

Ai ka shtuar se ky proces i rritjes do të çojë në dyfishimin e ekonomisë së rajonit.

Duke u bazuar në mësimet e përvojës së zgjerimeve të mëparshme, Kopmann ka theksuar rëndësinë e tregut në këtë proces.

Ai ka përmendur faktin se tregjet e vendeve të reja anëtare të BE-së janë rritur menjëherë pas aderimit, dhe ka theksuar se është ky një faktor kyç për suksesin e integrimit.

Po ashtu, ai ka inkurajuar angazhimin dhe bashkëpunimin mes vendeve të Ballkanit Perëndimor për të arritur integrimin ndërveprues mes tyre dhe në tregun e përbashkët të BE-së.

“Mësimet nga zgjerimi paraprak tregojnë se pikërisht tregu është kyç. Përmendim edhe faktin se tregjet e vendeve u rritën menjëherë pas aderimit në BE. Deri tash janë rritur trefishtë e me këtë ndryshojnë gjërat. Prandaj është ky plani i rritjes dhe duhet shumë punë. Për të hyrë në tregun tonë të përbashkët duhet shumë punë. Ne i kemi përveshur mëngët të angazhohemi në këtë drejtim”, ka deklaruar ai.

Në përfundim, Kopmann ka shtuar se është e rëndësishme të mos bllokohet integrimi rajonal dhe ka shtuar se bllokimi i fqinjëve mund të krijojë pengesa për veten. Deklaratat e tij shfaqen si një thirrje për bashkëpunim dhe angazhim për të përshpejtuar procesin drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

“Ne do t’ju ndihmojmë të integroheni mes vete, derisa të integroheni në tregun e përbashkët. Konsideroj se është shumë me rëndësi, pasi pa integrim rajonal thjesht nuk mund të shfrytëzoni mjaftueshëm leverditë e tregut tonë të përbashkët. Prandaj, kusht në këtë pjesë të planit të rritjes është të mos bllokoni fqinjët. Mund të bllokoni vetveten nëse bllokoni fqinjët”, ka thënë Koopman.