Koreja e Veriut teston raketa balistike

Koreja e Veriut ka lëshuar disa raketa balistike pranë bregdetit të saj lindor, në një akt të dënuar fuqishëm nga Koreja e Jugut, Japonia dhe SHBA, për shkak të kërcënimit ndaj paqes dhe stabilitetit në Gadishullin Korean

Koreja e Veriut ka shkrepur shumë raketa balistike, me rreze të shkurtra veprimi, pranë bregdetit të saj lindor të enjten, njoftoi ushtria e Koresë së Jugut.

Ky ishte testimi i parë raketor i Veriut pas më shumë se dy muajve dhe u krye vetëm pak ditë pasi lideri verikorean Kim Jong Un u zotua për ta rritur arsenalin bërthamor.

Raketat u lëshuan nga Peniani dhe fluturuan rreth 360 kilometra para se të binin në det, tha Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë jugkoreane, pa treguar sa sosh u shkrepën saktësisht.

“Ne e dënojmë fuqishëm lëshimin e raketave nga Koreja e Veriut, sepse ky është provokim i qartë që e kërcënon seriozisht paqen dhe stabilitetin në Gadishullin Korean”, tha ai në një komunikatë.

Ministria e Mbrojtjes e Japonisë tha se së paku dy raketa balistike nga Koreja e Veriut fluturuan më gjatë se 350 kilometra në një lartësi prej 100 kilometrash.

Kryeministri japonez, Fumio Kishida, i cili e vizitoi Seulin javën e kaluar për të rikonfirmuar marrëdhëniet me Korenë e Jugut para se të japë dorëheqje nga posti, tha se Tokio e dënon fuqishëm lëshimin e raketave nga Koreja e Veriut.

“Ne po vazhdojmë përpjekjet tona të mëdha për vëzhgim, si dhe për bashkëpunim me SHBA-në dhe Korenë e Jugut”, tha Kishida.

Të dërguarit e posaçëm të Koresë së Jugut, Japonisë dhe SHBA-së për armët bërthamore biseduan përmes telefonit dhe thanë se lëshimi i raketave nga Veriu është shkelje e rezolutave të OKB-së, tha Ministria e Jashtme jugkoreane.

Ata, gjithashtu, u zotuan se do të përgjigjen ndaj çdo provokimi nga Koreja e Veriut.

Hera e fundit kur Koreja e Veriut kishte shkrepur një raketë ishte 1 korriku, kur tha se me sukses e testoi një raketë të re balistike dhe taktike.

Lëshimi i raketave të enjten u bë vetëm pak ditë pasi lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, u zotua se do të prodhojë “seç herë e më shumë” armë bërthamore dhe se do të sigurohet që ato të jenë të gatshme për përdorim “në çdo kohë”.

Koreja e Veriut përballet edhe me akuza se e furnizon Rusinë me armë, përfshirë me dronë dhe me raketa balistike për luftën e saj në Ukrainë.

Ukraina, Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera e analistë thonë se Kimi po e ndihmon Rusinë në luftë duke i dhënë raketa në këmbim të ndihmës ekonomike dhe ushtarake.

Moska dhe Peniani i kanë mohuar akuzat, por janë zotuar se do ta forcojë bashkëpunimin ushtarak./Radio Evropa e Lirë

Shija e redaktorit

75 vota pro, Parlamenti kalon me procedurë të përshpejtuar huanë...

Parlamenti i Shqipërisë miratoi mëngjesin e kësaj të hëne, me 75 vota pro, kalimin me procedurë të përshpejtuar të marrëveshjes së huasë ndërmjet Shqipërisë...

BookFest vazhdon rrugëtimin në Gjilan pas suksesit të jashtëzakonshëm në...

Pas një edicioni tejet të suksesshëm në Prishtinë, ku mijëra vizitorë krijuan një atmosferë të veçantë me diskutime frymëzuese, aktivitete të shumta dhe dashuri...

Anthony Joshua rikthehet në ring, shqiptari Kristian Prenga synon ta...

Një nga emrat më të mëdhenj të boksit botëror, Anthony Joshua, rikthehet këtë fundjavë në ring për t’u përballur me boksierin shqiptar Kristian Prenga,...

Të fundit nga rubrika